Detyronin borxhlinjtë të merrnin kredi/ Gazetari: Rrjeti dyshohet të jetë më i gjerë! Avokati: Mund të jemi para një grupi të strukturuar kriminal

schedule23:50 - 23 Maj, 2024

schedule 23:50 - 23 Maj, 2024

Prokuroria e Tiranës zbardhi një skemë të zhvatjes së qytetarëve nëpërmjet mikrokredi me interesa te larta, për shlyerjen e borxheve të vjetra. Në këtë skemë rezultoi se ishin të përfshirë 3 shoqëri përmbarimore dhe 2 institucione financiare të cilën e kanë vënë në jetë përmes ndihmës së një noteri dhe të disa avokatëve skemën e zhvatjes.

Nga hetimet ka rezultuar se 4 mijë kredi të këqija që u blenë nga një banka prokredit me vlerë totale rreth 7.3 milion euro u përdorën për një skemë shtrënguese duke detyruar qytetarët që kishin borxhe të vjetra në këtë bankë, të rimerrnin kredi me interesa edhe më të larta, edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje dhe më pas iu bllokonin përmes shoqërive përmbarimore rrogat, pronat, apo automjetet.

Gazetari Ervin Leka në “Ora e Fundit” në ABC News foli për këtë skemë të këtyre mashtrimeve dhe se si i detyronin borxhlinjtë të merrnin kredi. Gazetari Leka shpjegoi se bashkëpunonin me avokatë për të marrë kreditë e këqija.

“Është një hetim i gjerë i prokurorisë së Tiranës lidhur me këto mashtrimeve që janë bërë me kreditë. Janë disa persona, 5 prej tyre janë lënë në masën arrest me burg dhe të tjerët arrest shtëpie. Dyshohet se rrjeti është akoma më i gjerë. Gjithçka bëhej në bashkëpunim me avokat dhe noterë”, tha ai.

Nga ana e tij avokati Arbër Hoxha tha se duhet të shihen veprime që mund të marrë Prokuroria e Tiranës, duke nënvizuar se këta persona kanë zhvatur qytetarë të Republikës së Shqipërisë.

“Bëhet fjalë për shpërdorim të detyrës dhe vjedhje duke shpërdoruar detyrën. Kanë qenë njerëz të dedikuar për të zhvatur qytetarët e Republikës së Shqipërisë, këto janë ende veprimet e para hetimore dhe besoj se Prokuroria ka ruajtur standardin arrest shtëpie për vajzat dhe gratë. Mund të jemi edhe para një grupi të strukturuar kriminal”, tha më tej avokati.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!