Detajet/ Gjykata liroi dhëndrin e Berishës, krahas ankimimit avokatët ofruan edhe garanci pasurore

schedule12:12 - 21 Nëntor, 2023

schedule 12:12 - 21 Nëntor, 2023

Apeli i GJKKO-së vendosi ndryshimin e masës së sigurisë për Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish kryeministrit Sali Berisha, të cilit këtë të martë iu caktua masa “Arrest në shtëpi”.

Gazetari i ABC News, Ermal Vija raporton se avokatët mbrojtës, krahas ankimimit, që u pranua nga Apeli, ofruan edhe garanci pasurore për Malltezin.

“Gjykata vendosi të ndryshojë masën e sigurisë për Jamarbër Malltezin. Avokatët mbrojtës të Malltezit ishin të gatshëm të ofronin garanci pasurore. Ilirjana Olldashi, gjyqtarja që ndryshoi vendimin për Jamarbër Malltezin, vendosi të lërë në fuqi masën për ish kryeministrin Sali Berisha. Olldashi vendosi të lërë në fuqi vendimin e 26 tetorit për Berishën.

Sigurisht, zoti Berisha nuk e ka respektuar të hënën e parë dhe të tretë të muajit. Zoti Berisha preferoi të mos vijë para prokurorisë. Ky vendim i Shkallës së Parë mori formë të prerë në Gjykatën e Apelit. Do të presim vendimin e prokurorisë. Mundësia e vetme e prokurorëve që kanë ndjekur çështjen, është që të ashpërsojnë masën ndaj ish kryeministrit Sali Berisha. Ata mund të drejtohen për një masë më të ashpër sigurie, “Arrest në shtëpi” apo Arrest me burg”. Por duhet t’i drejtohen parlamentit, pasi Berisha është deputet dhe ka imunitet”, raportoi gazetari Vija./abcnews.al