DETAJET/ 90 mijë euro për “kokën” e Dumanit e të vëllait, si dështoi në 2020 plani për vrasjen e tyre

schedule15:35 - 26 Qershor, 2022

schedule 15:35 - 26 Qershor, 2022

Nga Ermal Vija

Grabitja me armë e një “Audi Q5” verën e 2020-tës pranë shkëmbit të Kavajës ka zbuluar porosinë për një vrasje të dyfishtë kundrejt pagesës prej 90 mijë. Personi që do të kryente ekzekutimin është Hamid Skuqi, i arrestuar për vjedhjen me dhunë të një mjeti në pronësi të një shtetasi kosovar, bashkë me një shokun  tij.

Sipas dosjes hetimore që ABC e disponon, Skuqi pas arrestimit ka treguar se makinën e ka vjedhur me mikun e tij për të kryer vrasje, me porosi të një personi që quhej Gazi. Ky i fundit i ka kërkuar ekzekutimin e 2 vëllezëve, banesa e të cilëve gjendej në zonën e Shën Vlashit në rrugën e Nish Tullës.

Ai ka mësuar saktësisht banesën e shënjestrave si dhe fotot e tyre, por nuk e dinte se për kë bëhej fjalë.

Burime për ABC bëjnë me dije se, nisur nga të dhënat që Skuqi ka treguar për hetuesit, ka dyshime që objektiv ishin vellezërit Dashamir e Nuredin Dumani.

Hetimet për këta rast janë veçuar, ndërsa ende nuk është bërë I mundur identifikimi i personit që ka urdhëruar vrasjen. Nga deklarimet e Skuqit, bëhet me dije se, shkak ishte bërë një konflikt për trafikun e drogës në Holandë mes porositësit dhe 2 vëllezërve.

Referuar dosjes hetimore, porositësi i kishte dhënë parapagesë 1 mijë euro Skuqit, si edhe një pistoletë tip Glock për të kryer vrasjen. Por atentati ka dështuar pasi mjetin që ata vodhën nën kërcënimin e armës, u fik pak kilometra pasi e rrëmbyen. /abcnews.al/