DETAJE/ “Shtëpia e barit ruhej me qen”, ABC News në fshatin e kanabisit në Shkodër

schedule11:34 - 18 Tetor, 2023

schedule 11:34 - 18 Tetor, 2023

SHKODËR- Policia e Shkodrës gjatë një operacioni anti-drogë në fshatin Trush i Poshtëm ka arrestuar tre persona, mes tyre babë e bir. Ata kishin përshtatur një “shtëpi bari”, tek e cila kultivonin dhe rrisnin lëndën narkotike të llojit kanabis.

Gazetari i ABC News, Simon Shkreli, ka shkuar në fshatin ku u gjet lënda narkotike.  Ai thotë se banesa ku ishte ”laboratori”  i rritjes së drogës ndodhej në mes të fshatit Trush.

“Shtëpia ndodhej në mes të fshatit Trush i poshtëm, jo ndonjë shtëpi e veçuar. Ishte e kamufluar në atë formë se nga rruga kryesore shumë pak shihej shtëpia ku ishte laboratori i kultivimit dhe rritjes së barit përmes llambave”, raportoi gazetari.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, Shkreli thotë se banesa ishte e vjetër dhe e ndërtuar pas viteve 1990.

“Dukej në pamje të jashtme një shtëpi krejt normale mes shtëpive të tjera,  e vjetër dhe e ndërtuar pas viteve 1990. Brenda shërbente si laborator”, tha ai.

Autorët e dyshuar për kultivimin e kanabisit ishin kujdesur edhe për vjedhjen e energjisë elektrike, por pa u lodhur shumë pasi burimi i energjisë ishte një shtyllë elektrike, që ndodhej në oborrin e banesës.

“Mënyra e marrjes së energjisë ishte nga një shtyllë në oborrin e kësaj shtëpie. Shtëpia është prona Dedë Laca, i cili është arrestuar së bashku me të birin dhe me nipin tij, është kapur dhe në pamje që shihet nga Policia është personi i arrestuar dhe që ndodhej brenda shtëpisë së barit”, tha ai.

Sipas gazetarit, një tjetër detaj ishte fakti se banorët e zonës ishin gojëkyçur dhe nuk pranonin të flisnin për mediat. Gjithashtu trafikantët ishin kujdesur për masa shtesë sigurie.

“Pronarët ishin kujdesur që të kishin qentë roje te shtëpia”, shtoi ai. Nga aksioni i policisë u arrestuan Dedë dhe Anton Laca, si dhe nipi i tyre Lorenc Trieshi, i cili u kap në flagrancë dhe kishte rolin e kopshtarit./ abcnews.al