TIRANË– Detaje të reja zbardhen për të shtënat me armë në kompaninë farmaceutike CFO Pharma gjatë orëve të para të mëngjesit në Tiranë.
Sipas burimeve për Abc News drejt fasadës së godinës është qëlluar të paktën 30 herë me kallashnikov nga një makinë, pasi kanë qëlluar është nisur në drejtim të mbikalimit të Kasharit.
Në momentin e të shtënave roja i sigurisë së godinës ka qenë brenda në kabinë dhe para hetuesve ka treguar se ka dëgjuar zhurmë, ka dalë jashtë por nuk ka konstatuar gjë dhe nuk ka njoftuar policinë.
Në mëngjes shenjat e plumbave i kanë parë punonjësit e administratës, të cilët kanë thirrur menjëherë policinë.
Pronari Nadir Çausholli, i marrë në pyetje nga policia, ka pretenduar se nuk ka konflikt me njeri dhe nuk ka asnjë ide kush fshihet pas kësaj ngjarje.
Makina e autorëve po gjurmohet nga policia, por në momentin e të shtënave ka qenë duke rënë shi i lehtë dhe ka zënë pamjen e kamerave./abcnews.al