Sipas “Gazeta dello Sport”, qendërsulmuesi dhe argjentinasi jetojnë në të njëjtin kompleks në pjesën e Torinos ku jetojnë shpesh futbollistët kur luajnë për Juventusin dhe atë pjesë të qytetit, megjithëse ofron paqe ndryshe nga qendra, shpesh është një objektiv i bandave dhe hajdutëve.
Vlahovic po kalonte kohë me Di Marian dhe familjen e tij, kur tre grabitës të armatosur u përpoqën të hynin dhe të grabisnin argjentinasin.
Sipas rikonstruksionit të policisë, kriminelët kanë tentuar të hyjnë në vilë rreth orës 19:30 dhe alarmi është ngritur nga dikush nga sigurimi privat i cili ka parë në kamerat e sigurisë se dikush po tentonte të hynte në pronë, shkruan abcnews.al.
Njëri prej grabitësve u arrestua pasi tentoi të arratisej me makinë, ndërsa bashkëpunëtorët arritën të arratiseshin duarbosh.
Sipas informacioneve të para, nuk bëhet fjalë për kriminelë vendas por për një bandë të organizuar të specializuar për vjedhje dhe grabitje nëpër vila.
Policia e Torinos bëri të ditur se tashmë në atë zonë ishte shtuar kontrolli ndaj tentativave për grabitje, pasi ky nuk është rasti i parë që i ndodh një lojtari të Juventusit.
Hajdutët hynë në shtëpinë e Paulo Dybala ndërsa ai ishte në një ndeshje dhe disa vite më parë Claudio Marchisio u rrëmbye me gruan e tij.
Vlahovic ishte mysafir i argjentinasit, pasi kompleksi luksoz ka një vilë gjysmë të shkëputur ku kanë jetuar më parë Aaron Ramsey dhe Rodrigo Bentancourt, ish-futbollistë të Juventusit. Meqë ra fjala, Cristiano Ronaldo dhe familja e tij janë ndër futbollistët që kanë jetuar në atë pjesë të Torinos.
Sipas dëshmisë së fqinjëve, gjatë mbrëmjes janë dëgjuar të shtëna dhe duket se të shtënat nuk janë bërë nga kriminelë, por nga punonjës policie.
Njëri nga fqinjët gjeti një armë, me gjasë të hedhur nga grabitësit teksa iknin.
“Gazeta” bën të ditur gjithashtu se kriminelët kanë arritur të kapërcejnë murin dhe të futen në oborrin e vilës, por që sapo kanë dëgjuar policinë kanë ikur. /G.D abcnews.al/