TIRANË- Tre trafikantë kanë përfunduar në pranga të Policisë në Tiranë, pasi u kapën duke transportuar një sasi prej 1 kilogram lëndë narkotike e llojit kokainë. Por, planet e trafikantëve nuk u realizuan sipas skenarit, që ato kishin planifikuar.
Agjentët anti-drogë në kryeqytet ndërhynë duke ndaluar automjetit tip “Tiguan”, i cili drejtohej nga kryetari i Shoqatës së Transportit Ndërqytetas Enea Sulejmani.
Në këto momente, drejtuesi i automjetit ka tentuar të largohet duke vënë në rrezik jetën e tre agjentëve të policisë. Në kushtet e vetëmbrojtjes, efektivët e kanë qëlluar me armë zjarri në gjymtyrë dhe sipas mjekëve Sulejmani ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Bashkë me të ishin dhe dy të rinj të tjerë, të cilët menjëherë u vunë në pranga. Bëhet fjalë për Shkëlqim Ostreni dhe Igli Begaj.
Gazetari i ABC News, Ervin leka, referuar burimeve hetimore, raporton se lënda narkotike ishte e llojit të pastër dhe nëse do shitej, trafikantët do fitonin një shumë monetare, e cila përllogaritej në vlerën e rreth 25 mijë eurove. Paraprakisht dyshohet se lënda narkotike do të shpërndahej te grupe të tjera kriminale, që operojnë në kryeqytet./ abcnews.al