DETAJE/ Aksidenti me 8 viktima, makina “fluturoi” 200 metra në ajër dhe përfundoi në lumin Vjosë

schedule10:42 - 2 Prill, 2024

schedule 10:42 - 2 Prill, 2024

PËRMET- Tetë persona humbën jetën në mënyrë tragjike në aksin rrugor Këlcyrë-Përmet, mëngjesin e kësaj të marte.

Ata po udhëtonin me një automjet dhe në përpjekje për t’i ikur policisë, drejtuesi i saj ka humbur kontrollin dhe më pas ka përfunduar në shtratin e lumit Vjosa.

Makina drejtohej nga 24-vjeçari Edison Bregaj nga Shkodra, ndërsa shtatë viktimat e tjerë janë klandestinë, të cilët vinin nga vendet e treta dhe tentonin që nëpërmjet Shqipërisë të kalonin drejt vendeve perëndimore.

Gazetari i ABC News, Elidon Berberi, nga vendi i ngjarjes, raporton se makina ka “fluturuar” në ajër rreth 200 metra dhe më pas ka përfunduar në shtratin e Lumit Vjosa.

Aktualisht shërbimet e policisë janë në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për identifikimin e viktimave, një proces ky, që siç shton Berberi kërkon kohë pasi trupat e tyre janë dëmtuar rëndë si pasojë e aksidentit.

Policia dyshon se automjeti që transportonte klandestinë ishte marrë me qira nga shkodrani, i cili mbeti viktimë e aksidentit.

“Makina ka fluturuar  200 metra në greminë dhe më pas ka rënë në shtratin e lumit Vjosa. Ka ende trupa në automjet. Janë të copëtuar dhe identifikimi i tyre është i pamundur. Makina me të cilën po udhëtonin këtë persona dyshohet se ishte marrë me qira. Identifikimi i personave është i vështirë. Këto janë dhe detajet e para, që jep policia, por priten të bëhen verifikime shtesë”,  raportoi gazetari./ n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!