Dëshpërim dhe optimizëm/ Anglezët të lumtur për Kombëtaren, pas dështimit

schedule19:16 - 12 Korrik, 2018

schedule 19:16 - 12 Korrik, 2018

Tifozët anglezë, krenarë për kombëtaren e tyre, edhe pas humbjes me Kroacinë. Besimi është i madh se rezultatet do të jenë më të mira në të ardhmen

Pati dëshpërim, por jo fatalitet.

Eleminimi i Anglisë nga Kupa e Botës solli thyerje zemre dhe lot tek tifozët, edhe pse nuk e zhduku optimizmin dhe shpresën.

Mijërat e tifozëve, në Moskë, në Londër apo kudo gjetkë, ëndërruan dhe dëshiruan vetëm fitoren dhe kalimin në finale, veçse gjithkush ishte I ndërgjegjshëm se një epokë e re po hapej.

Ndjenjat e tifozëve i shprehu besnikërisht media britanike, aq shumë e kritikuar për komercializmin e saj të skajshëm.

“Metro”: Një goditje në Ballkane! Anglia humbet ndaj Kroacisë në Kupën e Botës, por ata mbeten heronjtë tanë!

“Deili Meil”: Heronjtë! Thyerje zemre në Kupën e Botës për Anglinë! Ne jemi krenarë për ju të gjithë!

“Star Sport”: Kro No! Agoni në kohën shtesë, ndërsa luanët trima rrëzohen!

“Deili Mirror”: Thesar kombëtar! Luanët trima të Sauthgejtit kthyen besimin për ëndrrën angleze, pavarësisht humbjes së Moskës!

“Dhë Tajms”: Ata po kthehen në shtëpi me kokën lart!

Trajneri Garet Sauthgejt u ngushëllua nga e shoqja, në stadiumin bosh, pas ndeshjes, ndërsa u shpreh pozitivisht.

“Jam i ndërgjegjshëm se kemi humbur një ndeshje shumë, shumë të rëndësishme, – tha ai, – dhimbja është e madhe, por gjithsesi askush nuk priste që ne të arrinim deri këtu. Jam krenar për lojtarët e mi”.

Tifozët anglezë bënë thirrje që Sauthgejt të marrë përsipër detyrën e kryeministrit, në vend të Tereza Mejit.

Sidoqoftë, u humb një mundësi të madhe.

“Anglia ka arsye për të qarë, por edhe për të qenë optimiste, – tha trajneri I Mançester Junajtidit, Zhoze Murinjo, – një skuadër shumë e re, që u përmirësua shumë. Por, Anglia nuk e mbylli ndeshjen në pjesën e parë dhe pagoi çmimin”.

Hidhërimi tek tifozët ndonjëherë ishte aq i madh, saqë ata u përleshën me policinë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!