Dëshmitë e historisë së Tiranës/ Shtëpitë e vjetra, të trashëguara brez pas brezi

schedule11:41 - 31 Maj, 2025

schedule 11:41 - 31 Maj, 2025

Mes ndërtimeve të reja, ritmit të shpejtë të jetës urbane, në kryeqytetin që në këto tre dekada është transformuar më shumë se çdo gjë tjetër, ekzistojnë ende lagjet e vjetra të Tiranës. Me këto shtëpi karakteristike, si dëshmi e historisë së qytetit.

Pranë zonës së Medresesë, në këtë rrugicë me kalldrëm, kanë mbetur edhe pak shtëpi të vjetra, që të sjellin frymën e shekullit të kaluar. Naim Hambari, jeton ende në banesën e trashëguar nga të parët e tij, ku kanë jetuar disa breza.

“Kam 69 vjet që jetoj këtu. Këtu ka jetuar më parë gjyshi, e baba”, shprehet ai.

Hambari është një prej fiseve që krijuan një shekull më parë atë që në kryeqytet të vjetrit e kujtojnë ende si “mëhalla e dibranëve”. Naimi kujton se gjyshi i tij erdhi nga Dibra në këtë lagje dhe ndërtoi shtëpinë që ekziston ende.

“Gjyshi punonte me karvanet, me mall nga ketu e në Dibër”, tregon Naimi.

Për Tiranën që priti të parët e tij të larguar nga Dibra, 69 vjeçari ka ruajtur ndjenjën e mirënjohjes.

“Kur erdhën dibranët këtu, Tiransit u hapën shtëpitë”, thotë 69-vjeçari.

Ndonëse shumë e vjetër, Naimi nuk është larguar nga shtëpia që i ndërtoi gjyshi, ndërsa djali me bashkëshorten dhe tre fëmijët janë transferuar në një banesë të re. Në oborrin e saj ruhen ende gjurmë tipike të një shtëpie karakteristike të Tiranës.

“është 100 vjeçare. Kemi pasur dy hurma të mëdha në oborr, njeren e kemi prerë, ka ngelur kjo”. Alberto Myftiu është një tjetër banor i kësaj lagje të vjetër.

“Kjo më parë quhej rrugica e shtëpisë së partisë sepse më përpara, ka qenë shtëpia ku u themelua partia komuniste”, shprehet Myftiu.

Në lagjen ku banon, shtëpitë e vjetra kanë mbetur shumë pak, ndërsa dhe vetë ai banon prej vitesh në një pallat të ri.

“Kjo ka qenë shtëpi tipike tiranase me qerpiç, kallama. Duhen mirëmbajtur”, thotë ai.

Këto banesa tradicionale janë ndërtuar kryesisht në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX. Ato kanë mbetur si dëshmi e arkitekturës shqiptare dhe jetës së dikurshme të banorëve të Tiranës.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!