Një dëshmitar që ka qenë prezent në takimin mes Nikolas Sarkozy dhe liderit të Libisë, Muammar Gaddafi, mund të fundosë ish-presidentin e Francës. Ai pohon se Gaddafi ka kontribuar në fushatën presidenciale të Sarkozy me 20 milionë dollarë.
Moftah Missouri, përgjegjës i dosierit të Francës dhe këshilltar i ish-liderit të vrarë të Libisë, Muammar Gaddafi, është njeriu kyç në hetimet në të cilat është përfshirë një ish0president i Francës. Ai ka qenë dëshmitar dhe përkthyes në një takim mes Kolonelit dhe ministrit të atëhershëm të Brendshëm të qeverisë së Parisit, Nikolas Sarkozy, gjatë një vizite në Tripoli me 6 Tetor të 2005. Missouri është kontaktuar nga mediat italiane dhe ka konfirmuar pagesën për financimin e fushatës presidenciale të Sarkozisë.
Ai tregon se në atë takim, zyrtari francez i tregoi Gaddafit për qëllimet e tij për të garuar për pallatin Elize. Dëshmitari thotë se lideri i Libisë u shpreh shumë i gatshëm ta ndihmojë në këtë drejtim. Në takim nuk folën për shuma konkrete shton ai.
“Pas një farë kohe e kam parë draftin e marrëveshjes për financimin e fushatës zgjedhore të Sarkozy në tavolinën e Gaddafit. Nuk e mbaj mend ditën e saktë, por muajin po. Data e dokumentit ishte Dhjetor 2006. Në pjesën e poshtme kishte nënshkruar Moussa Kussa (kreu i fuqishëm i shërbimeve sekrete libiane) dhe letra ishte drejtuar Gaddafit”, tregon dëshmitari për gazetën “Il Giornale”.
Pyetjes së çfarë ishte shkruar, Missouri përgjigjet: “Mbaj mend se kam lexuar që shifra e propozuar ishte 50 milionë euro, por më pas Gaddafi vendosi të kontribuojë me 20 milionë dollarë”. Personazhet e zgjedhur nga pala franceze për finalizimin e marrëveshjes ishte Brice Hortefeux, ish ministër, aleat politik dhe mik personal i Sarkozy si dhe ndërmjetësuesi franko-libanez, Ziad Takieddine, i cili ka pranuar se ka transportuar disa valixhe me nga 5 milionë euro. Gjithashtu dëshmitari tregon se shumë qytetarë në Libi mendojnë se ishte një agjent francez i infiltruar, i cili ka vrarë liderin Gaddafi, pikërisht për të mos treguar pazaret politike me Francën./abcnews.al