Sondazh

15 vite nga vrasjet në Bulevard, mendoni do ketë drejtësi për 21 janarin?

Loading ... Loading ...
 

Dëshmia e rrallë e tmerrit në kampet naziste/ Rrëfimi i 101-vjeçarit, si u rreshtua në batalionin e Kuçit dhe u kap nga gjermanët

schedule20:02 - 31 Janar, 2026

schedule 20:02 - 31 Janar, 2026

Në moshën 101-vjeçare, Stillo Papadhima është sot një nga zërat e rrallë që ende dëshmon për realitetin e errët të kampeve naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.

I lindur në vitin 1925, ai u përball herët me vështirësitë e jetës, pasi humbi të atin në moshën vetëm 5 vjeç. U rrit nën përkujdesjen e nënës dhe vëllezërve e motrave më të mëdhenj, ndërsa në rini u rreshtua në forcat Nacional-Çlirimtare, si pjesëtar i batalionit të Kuçit. Në dhjetor të vitit 1943, pas shpërbërjes së formacionit partizan, ai u kthye drejt vendlindjes së tij.

Por rruga drejt shtëpisë do të shënonte fillimin e një periudhe të errët: në Borsh, Stillo Papadhima dhe disa partizanë të tjerë u kapën nga forcat gjermane. Pas kësaj, ai u transferua nga një burg në tjetrin, duke përfunduar në Selanik, nga ku nisi deportimi drejt Gjermanisë.



Së bashku me dhjetëra të burgosur nga Saranda dhe Gjirokastra, ai u dërgua me tren drejt kampit nazist të Augsburgut, ku mbërriti në fund të korrikut 1944.

Në dëshminë e tij, Stillo tregon se të burgosurit detyroheshin të kryenin punë të rënda dhe rraskapitëse, kryesisht në bujqësi dhe shërbime të detyruara.

Një episod veçanërisht prekës i rrëfyer prej tij lidhet me ndihmën ndaj hebrenjve të përndjekur. Ai kujton se rreth 20 hebrenj u fshehën në kapanonin ku ndodheshin shqiptarët, për t’i shpëtuar transferimit nga forcat gjermane. Shqiptarët ndanë rrobat dhe ushqimin duke kontribuar në shpëtimin e tyre.

Rikthimi drejt Shqipërisë ishte i vështirë, por dëshira për të parë sërish vendlindjen dhe familjen i dha forcë për të përballuar rrugën. Mbërritja në Nivicë, së bashku me vëllanë dhe ish-të burgosurit e tjerë, u kthye në një ngjarje festive për të gjithë fshatin, me banorët që dolën për t’i pritur.

Vite më vonë, pas rënies së komunizmit, fëmijët e tij i mundësuan të vizitonte sërish kampin e Augsburgut në Gjermani, një rikthim emocional në vendin ku kishte përjetuar një nga kapitujt më të vështirë të jetës së tij.

Historia e tij është një rrëfim i qëndresës, sakrificës dhe mbijetesës, në një nga periudhat më të dhimbshme të shekullit XX.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!