Zbardhen detaje të tjera nga dëshmia e dytë e Marsida Qatjas. Burime të Prokurorisë së Kavajës i thanë “ABC News” se 30-vjeçarja ka pranuar se natën e sherrit kishin konsumuar kokainë. Kjo deklaratë, por edhe sasia e kokainës së gjetur në banesë, ka shtyrë prokurorët e ngjarjes të nisin hetimet edhe për vepren penale të kultivimit dhe shitjes së lëndëve narkotike për policin Bledar Toçi dhe vëllain e tij.
Në dëshminë e dytë Marsida Qatja ka pranuar se natën e sherrit kishin konsumuar kokainë dhe njeri prej djemve që ndodhej në shtëpinë e saj në lagjen nr .2 të Kavajës ishte larguar për të marrë sërish droge. Në këtë moment ka ndodhur edhe përplasja me armë mes Haxhollit dhe Toçit. Ajo ka rikonfirmuar lidhjen me 41 vjeçarin Dritan Haxholli.
Pas shqetësimeve të kohëve të fundit ajo pranoi para hetuesve se kishte thirrur shefin e sigurisë së burgut të Durrësit Bledar Toçin për ndihmë.
30 vjeçarja ka thënë se shoku i saj erdhi për të ndërhyrë që Haxholli mos ta bezdiste më.
Marsida ka deklaruar se me Bledar Toçin ka patur thjesht miqësi.
Marsida u mor në pyetje për herë të dytë pasi hetuesit i konsideruan dëshmi kontradiktore deklarimet e saj menjëherë pas ngjarjes.
Pas pohimeve të Marsidës për konsum droge natën e ngjarjes, por edhe nga sasia e kokainës së gjetur në banesë pas ngjarjes, prokuroria e Kavajës ka nisur hetimet edhe për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike për policin Bledar Toçi dhe vëllain e tij, pasi këtij të fundit gjatë kontrollit në banesë ju gjetën 7 doza kokaine. /ABC News Albania 24/7