Dervishaj e Meçe para gjykatës/ U ekstraduan nga Dubai, GJKKO i lë në burg të dyshuarit për vrasje

schedule11:40 - 15 Gusht, 2024

schedule 11:40 - 15 Gusht, 2024

GJKKO lë në fuqi masat e sigurisë arrest me burg për Plaurent Dervishajn dhe Julian Meçajn, të cilët u ekstraduan një ditë më parë nga Dubai. Gazetari Ervin Leka raporton se masat janë dhënë vetëm për dosjen e atentatit ndaj ish prokurorit Arjan Ndoj, ngjarje e ndodhur në nëntor të vitit 2019.

Në seancën ku ishte i pranishëm si përfaqësues i SPAK, drejtuesi Altin Dumani, nuk është bërë me dije mënyra se si dy të shumëkërkuarit iu dorëzuan autoriteteve shqiptare, ndërsa më herët avokatët kërkuan kohë të njihen me aktet.

Meçaj është shprehur para gjyqtares Rudina Palloj se ka ardhur vetë për t’u përballur me drejtësinë dhe ka kërkuar masë më të buta sigurie pasi nuk ka rrezik ikje, ndërsa Dervishaj u shpreh se e kanë sjellë në mënyrë të paligjshme.

“Julian Meçaj ka shprehur dëshirën në Dubai për të ardhur për t’u përballur me drejtësinë në Shqipëri. Ndërsa Plarent Dervishaj deklaroi se e kanë sjellë në mënyrë të paligjshme. Masat e sigurisë atyre iu është komunikuar vetëm për ngjarjen e vitit 2019, ku iu bë atentat ish prokurorit Arjan Ndoj.”, raportoi gazetari Ervin Leka.

Plarent Devishaj u shpall në kërkim ndërkombëtar nga SPAK për shkak se dyshohet si organizator i atentatit ndaj ish prokurorit Arjan Ndoj në vitin 2019, në afërsi të Durrësit. Ndaj tij GJKKO, ka caktuar masën “arrest në burg” për veprat penale “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “kryerjen e veprave penale organizata kriminale”.

Nga ana tjetër më datë 26 shkurt 2005, në Durrës, Plaurent Dervishaj, në bashkëpunim me 3 persona të tjerë dyshohet se kanë vrarë shtetasin Klodian Saliu me armë zjarri. Ndërkohë sipas Policisë së shtetit, më datë 27 shkurt 2005, Plaurent Dervishaj, në bashkëpunim me persona të tjerë dyshohet se kanë vrarë Vajdin Lamajn dhe Artan Arsi, me eksploziv.

Për sa i përket Julian Meçajt, Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj tij masën “arrest në burg” për “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “kryerja e veprave penale nga grupi organizata kriminale”.

Më datë 01 nëntor, 2019, në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Shkozetit, është gjuajtur disa herë me armë ndaj automjetit të drejtuar nga Andi Maloku (i cili humbi jetën), ku pasagjer ishin edhe ish prokurori Arjan Ndoj, dhe Alekasander Laho. Nga hetimet, Julian Meçaj është identifikuar si një nga autorët, duke e kryer këtë krim në bashkëpunim me shtetas të tjerë./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!