“Deri në 600 euro”, rritja e qirave të apartamenteve”, eksperti: Ka ndikuar ardhja e studentëve dhe të huajt

schedule14:24 - 27 Shtator, 2023

schedule 14:24 - 27 Shtator, 2023

Eksperti i pasurive të paluajtshme, Fjordi Subashi thotë se çmimet e apartamenteve në Tiranë janë rritur.

Në një intervistë për “Sheshin e Dollarit” në ABC News, Subashi u shpreh se sa i përket një apartamenti me tipologji 1+1, çmimi mesatar varion nga 300-400 euro.

Ndërsa për një apartament me tipologji 2+1, çmimi mesatar është 500-600 euro.

Sipas tij, ka ndikuar ardhja e studentëve në prag të fillimit të universiteteve, por edhe të huajt.

“Është e vërtetë që kërkesat në këtë periudhë janë rritur, për faktit se jemi shumë pranë sezonit universitar, kështu që jemi në pjesën e gjetjes së apartamenteve. Çmimet janë rritur, ka pasur një rritje të qirave, në 10-15% të vlerës, nga çfarë ka qenë në vitin e kaluar, dhe kjo ka ndikuar edhe te pjesa e kërkesës. Kryesisht, aktualisht në këtë periudhë që flasim, kanë qenë studentët që kanë kërkesa përsa i përket qirave, por jo vetëm. Ka edhe familjarë, ka edhe të huaj, kemi pasur goxha rritje të kërkesës së qirasë dhe qiradhënie nga klientë të huaj që kanë ardhur, si për sezonin veror, ashtu edhe për qëndrim më tej. Zonat që janë me kërkesë më të lartë, janë zona e “Zogut të Zi”, “Don Bosko”, unaza, “Rruga e Dibrës” deri te Fresku. Në varësi, kryesisht ku ka universitete, ka pasur kërkesë të shtuar për studentë.

Sa i përket një apartamenti 1+1, çmimi mesatar varion nga 300-400 euro. Sa i përket një apartamenti 2+1, çmimi mesatar është 500-600 euro. Janë goxha të larta për një student, por kanë parë edhe mundësinë e bashkëjetesës, dy ose tre studentë në një apartament.

Kryesisht, kanë qenë zonat e “Unazës së Re”, “Astirit”, zona e “Freskut”, “5 Maji”, “Ali Demi” gjithashtu, këto kanë pasur rritjen më të lartë të çmimit të qirasë, me infrastukturën më të zhvilluar, me ndërtimet më të reja që kanë ndodhur këto dy vitet e fundit. Këto zona kanë pasur rritjen më të lartë”, theksoi ai./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!