Derdhja e ujërave të zeza në lumenj, paralajmëron Lleshaj: Do ketë operacione të forta në gjithë vendin

schedule10:10 - 23 Maj, 2020

schedule 10:10 - 23 Maj, 2020

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj nga zona e Lagunës së Kune Vainit dhe Tales në Lezhë , ka paralajmëruar nisjen në ditët në vijim të një operacioni në shkallë kombëtare për mbrojtjen e mjedisit.

Lleshaj thekson se operacioni do të zhvillohet në bashkëpunim me IKMT dhe do të përqendrohet në vijat ujore, lumenjtë e vendit kryesisht për kontrollin e derdhjeve të ujërave të zeza dhe derdhja e inerteve në lumenj, të cilat i kanë shkaktuar një dëm të madh mjedisit.

Për shkelësit dhe për të gjithë ata që derdhin ujërat e zeza në lumenj dhe inerte do të merren gjoba dhe njëkohësisht do të nisin hetime penale nga ana e policisë së shtetit.

Përveç lumenjve do të kontrollohen dhe do të ndiqet edhe veprimtaria e guroreve dhe pyjeve.

“Me kalimin  e përgjegjësive të mjedisit te Ministria e brendshme, është hapur një veprimtari e re dhe përgjegjësi e re për strukturat e saj. Ditët në vijim strukturat e policisë së shtetit dhe të IKMT do të ndërmarrin operacione të gjera në shkallë vendi në mbrojtje të mjedisit.

Vëmendja do të përqendrohet në vijat ujore, në lumenjtë e vendit të cilat duhet të çlirohen nga derdhjet e ujërave të zeza dhe derdhja e inerteve të cilat kanë shkaktuar një plagë të rëndë me pasoja të mëdha për mjedisin.

Në të gjitha Drejtoritë vendore të policisë, në bashkëpunim mes policisë dhe IKMT do zhvillohen inspektime dhe operacione të forta për të ndaluar çdo dëmtim që ka ndodhur dhe vijon të ndodhë në ndotjen e lumenjve. Me vëmendje të madhe do të ndiqet edhe çështja e guroreve si dhe ajo e pyjeve, me qëllim që veprimtaria kriminale ndaj mjedisit të marrë goditje të rëndë.

Për çdo rast kur konstatohen ndërhyrje të paligjshme, derdhje mbeturinash, derdhje inertesh, derdhje e ujërave të zeza në lumenj, do të veprohet në dy plane; së pari IKMT do të marrë masat në planin administrativ me gjoba ndërkohë që paralelisht policia e shtetit do të hapë hetime penale për vepra kriminale në dëm të mjedisit”, tha Lleshaj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!