Derbi i Veriut, Gega: Do shfrytëzojmë momentin “JO” te Vllaznia. Merkato? Pres dy lojtarë

schedule16:45 - 27 Gusht, 2022

schedule 16:45 - 27 Gusht, 2022

Kukësi do të përballet me Vllazninë, takim që konsiderohet si “derbi” i veriut, që do të luhet ditën e nesërme në “Loro Boriçi” duke nisur nga ora 19:00.

Pas barazimit me Tiranën në “Kukës Arena” në sfidën hapëse të kampionatit, verilindorët ndaj shkodranëve do të kërkojnë 3 pikët e para.

Në konferencën për shtyp, trajneri Skënder Gega ka analizuar përballjen me kuqeblutë, teksa e ka cilësuar një sfidë të vështirë.

“Ndeshja me Tiranën: Është e vërtetë që vuajtëm në dy aspektet e lojës, u munduam që të jemi kompakt. Në fakt Tirana na vuri në vështirësi dhe kishte mundësi që ndeshja të shkonte ndryshe, por 1 pikë kundër ekipit kampion na kënaq. Do mundohemi të korrigjohemi në gabimet tona.

Vllaznia: Po përgatitemi shumë, siç është një javë nuk është java tjetër dhe ju garantoj që as Vllaznia nuk është ajo që u shfaq me Erzenin. Ka një potencial dhe tifozeri shumë të mirë, do të eliminojmë sa më pak gabimet, dhe të shfrytëzojmë formën e dobët të kundërshtarit.

Daci: Çuditërisht fola para ndeshjes që nuk duhet të marrim kartonë që na dëmtojnë. Por mosha e re dhe emocionet e ngatërrojnë pak atë pjesën për të bërë “fair play”.

Merkato: Besoj që nuk ka sekrete po mundohemi jemi në kontakt me dy lojtarë, por dhe këto që janë do përpiqemi shume t’u japim besimin e plotë. Është çështje e klubit pasi është një ndërmarrje por në qoftë se vjen një lojtar që bën diferencën është i mirëpritur”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!