Rekordi u vendos vjet, në një ndeshje që pati plot gjashtë gola dhe pesë prej tyre Tirana i shënoi në portën e Partizanit. Ai triumf sigurisht që e gëzoi tej mase presidentin Halili, i cili nga ana tjetër kishte edhe një arsye tjetër për të festuar.
19300 bileta ishin shitur dhe stadiumi “Air Albania” ishte thuajse plot. Një shifër rekord tifozësh në ndjekje të derbit, ndërkohë që e gjitha kjo përkthehet edhe në para të arkëtuara nga Tirana si organizatore e ndeshjes.
Nga shitja e biletave u xhiruan 192 milion lekë, shifër që nuk shkoi e plotë në arkat e klubit bardheblu, pasi përfitonte FSHF për stadiumin, kompania e biletave, si dhe kompania private e sigurisë fizike.
Gjithsesi, më shumë se 100 milion shkuan në arkat e Tiranës dhe një shifër e tillë mund të shkonte edhe këtë herë, po të mos ishte për pandeminë që ka kushtëzuar të gjitha klubet për shkak se nuk lejohen tifozët nëpër stadiume. /abcnews.al