Pep Guardiola dhe Manchester City janë gati për derbin kundër rivalëve të Manchester United. Të dielën zhvillohet beteja e radhës në “Old Trafford” dhe kampionët në fuqi do të tentojnë të “hakmerren” pas humbjes në fazën e parë.
Trajneri spanjoll analizon sfidën ndaj United në konferencën për shtyp dhe sqaron gjendjen e Leroy Sane. Gjermani mungon që në verë, por është drejt rikuperimit. Ndaj “Djajve të Kuq” nuk do të luajë, ndërsa në ndeshjet e radhës do të rikthehet në fushë.
“Ndeshjet derbi janë gjithmonë të veçanta. Këtë sezon po luftojmë për vendin e dytë, jo për titull. Nga ana tjetër, United po tenton të kualifikohet në Champions League dhe i duhet fitorja. Duhet të japim maksimumin tonë: trajneri, lojtarët dhe tifozët.
E dimë vështirësinë e kësaj ndeshje, por kemi zhvilluar ndeshje të mirë në muajin e fundit. Sane? Po përmirësohet, po e merr veten, por nuk është ende në 100%. Kundër United nuk do të luajë, besoj se do ta aktivizojmë disa minuta në ndeshjet pasardhëse“, deklaron Pep Guardiola. /abcnews.al