Vasil Shkurtaj dhe Kukësi do të ndahen me mbylljen e këtij sezoni futbollistik. Vetë sulmuesi e kishte lënë të kuptohej diçka të tillë më parë, kur hapur foli për çështjen e pagave dhe u shpreh se ishte kundër uljeve. Së fundmi vulën ia vuri drejtori sportiv, Nderim Nexhipi.
Autori i 16 golave në kampionat deri në ndërprerjen e kampionatit, sigurisht që ka oferta. Edhe në janar ka pasur interesim për të nga jashtë vendit, por kërkesat e klubit të Kukësit kanë qenë të larta.
Tashmë ai del lojtar i lirë dhe sipas asaj që shkruan “Panorama Sport”, për Shkurtajn interesohen klube si Partizani dhe Tirana. Edhe në të shkuarën vlonjati ka qenë në orbitën e këtyre dy klubeve.
Gjithsesi për të nuk do të vetëm derbi të kryeqytetit, pasi e duan edhe në Greqi. Panathinaikos, që nuk po shkëlqen si dikur në Superligën greke, e shikon Shkurtajn si opsion.
Sulmuesi 28-vjeçar ka luajtur edhe në të shkuarën në Greqi, me skuadra si Panionios, Thrasyvoulos, Niki Volos, Asteras Tripolis dhe Xanthi. Shkurtaj ka provuar eksperienca të ndryshme edhe në Portugali, Holandë e Qipro.
Aktivizimi në një kampionat më të fortë jashtë vendit është prioritet për të dhe normalisht gjatë kësaj vere do t’i shqyrtojë mirë ofertat që do të marrë. Pas tre sezonesh e gjysmë në Superiore, ndoshta tani është momenti për të luajtur sërish jashtë vendit. / abcnews.al