Prestigjozja austriake “Der Standard”, në një artikull pretendon se Rusia, Turqia dhe Kina po përpiqen të përfitojnë nga aktiviteti shumë i pakët i BE-së dhe SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, të cilat çojnë në një vakuum të ndikimit.
“Rusia përdor dobësinë e të tjerëve“, shpjegon një profesor i historisë dhe politikës së Evropës Juglindore në Universitetin e Grazit. Ai shton se marrëveshja në pritje e Maqedonisë dhe Greqisë dhe normalizimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës po dëmtojnë interesat e Rusisë në rajon.
Republika Srpska, një entitet me shumicë serbe të Bosnje dhe Herzegovinës, mbetet pasuria më e madhe e Rusisë. “Presidenti Milorad Dodik viziton shefin e tij në Kremlin sa më shpesh të jetë e mundur”, pohon Standard, duke përmendur shembullin e qendrës kulturore serbo-ruse, që do të ndërtohet së shpejti në Banja Luka, si dëshmi e ndikimit në rritje të pushtetit të Eurazisë.
Një tjetër lojtar rajonal po përpiqet të zgjerojë ndikimin e saj në BiH, duke u përshtatur me interesat e popullsisë muslimane boshnjake – është Turqia. Vëzhgimet flasin për “turkifikimin” e boshnjakëve nëpërmjet Bakir Izetbegoviçit, udhëheqësit të partisë më të madhe boshnjake, SDA dhe anëtar i Presidencës tre-palëshe të vendit. Gjithashtu gazeta austriake sjell në vëmendje se rindërtimi i xhamive të periudhës së Perandorisë Osmane është një komponent kyç në ndikimin e Turqisë në Bosnje. Ndërsa një tjetër vend me shumicë myslimane që ka lidhje të ngushta me Turqinë është Kosova. Sipas Der Standard, kjo u zbulua nga deportimi i 6 qytetarëve turq të arrestuar nga agjencia e inteligjencës.
Artikulli mbyllet me një përmbledhje të shpejtë të ekonomisë me rritjen më të shpejtë në botë, Kinën, vend i cili luan një rol në rajon. Deri më tani ka qenë vetëm ekonomik. Sipas analistëve, Kina paraqet sfidë për Bashkimin Evropian vetëm në fushën e gjeoekonomisë./abcnews.al