Deputeti socialist Etjen Xhafaj u shpreh mbrëmjen e sotme në emisionin “LOG” në “ABC” se kryeministri Edi Rama ka folur me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç për tensionet në veri të Kosovës. I pyetur nga gazetarja Linda Karadaku nëse Edi Rama duhet të flasë me presidentin e Serbisë për krizën në Kosovë, ai tha; “Atëherë po flasim në kushte krize dhe të jesh aty të zgjidhësh një krizë duhet të kesh një rol mbi palët. Roli i Shqipërisë nuk është mbi palët, ka qenë gjithmonë në mbështetje të Kosovës.
A duhet të flasë? Po. Absolutisht. Por kjo do të vijë dhe unë jam i bindur që ka ndodhur. Pra që kanë folur? Po, sigurisht. Ka ndodhur dhe ka një diskutim të hapur. Por në këtë çështje është përfshirë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, dhe instanca ndërkombëtare më të larta nuk është vetëm roli i Shqipërisë. Shqipëria do të jetë gjithmonë e paragjykuar, pasi do të jetë në krah të Kosovës” tha ai.
Më tej ai theksoi se “Shqipëria mund të luajë një rol negocimi në mes. Sot është fakt që kemi të bëjmë me një situatë shumë kritike mes Kosovës dhe Serbisë që është kritike për të gjithë Ballkanin. Kemi të bëjmë me një situatë të zgjatur dhe negociatës së munguar”.
Por Edit Harxhi nuk është dakord që Tirana të jetë negociatore mes Prishtinës dhe Beogradit. “Shqipëria nuk mund të ketë rol negociues mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk e di kush mund të jetë kryeministër shqiptar që të ndërmjetësojë mes Kosovës dhe Serbisë” tha ajo.
Shqipëria sot u pozicionua qartë krah të Kosovës në tensionet e fundit me Serbinë. Edi Rama, përkrah Albin Kurtit tha se e drejta është padiskutim me Prishtinën dhe bëri thirrje që Beogradi të ndalë manovrat teatrale në veri me forcat ushtarake. Deputeti socialist Etjen Xhafaj u shpreh se vizita e Edi Ramës sot në Prishtinë ishte mbi të gjitha në sfondin e faktit që Shqipëria nga 1 janari i vitit që vjen do të jetë anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
“Vizita e sotme ishte përveç të tjerave edhe në një sfond tjetër, Shqipëria po merr edhe Këshillin e Sigurimit. Në nivel rajonal Shqipëria është një faktor që do të mbetet në favor të stabilitetit. Shqipëria tregoi mbështetjen e plotë për atë që ka bërë qeveria e Kosovës.
Mesazhi sot ka qenë i qartë dhe i fortë, Rama tha që Serbia e ka bërë gabimin e vet dhe Kosova ka të drejtë” tha Etjen Xhafaj. Pyetjes nëse me vizitën e sotme të kryeministrit shqiptar në Kosovë, a u pajtua Rama me Kurtin, Xhafaj iu përgjigj “Po, absolutisht po”./ db/Abcnews.al