Deputeti i BDI takon ndërmjetësuesin e OKB në SHBA

schedule15:24 - 12 Shkurt, 2018

schedule 15:24 - 12 Shkurt, 2018

Deputeti i BDI-së, Artan Grubi, është takuar me ndërmjetësuesin e OKB-së, Matthew Nimetz për kontestin e emrit. Sipas përfaqësuesit të partisë shqiptare në Maqedoni, zgjidhja mes Shkupit dhe Athinës është më afër se kurrë.

Deputeti i partisë shqiptare në Maqedoni, Bashkimi Demokratik për Integrim, Artan Grubi, i cili gjendet në Nju Jork, zhvilloi një drekë pune me ndërmjetësuesin e Kombeve të Bashkuara në kontestin për emrin, Metthew Nimetz. Lajmi është konfirmuar nga vetë forca politike me anë të një deklarate në faqen zyrtare në internet. Sipas njoftimit “Grubi i ka shprehur Nimetz të gjitha përshtypjet nga takimet intensive në Uashington, duke përfshirë dhe sygjerimet edhe nga bashkëbiseduesit e tjerë në periudhën midis takimeve të përbashkëta”.

“Dy bashkëbiseduesit diskutuan në përgjithësi për kontestin për emrin dhe ndërmjetësimin e Nimetz dhe shkëmbyen mendime për ngjarjet aktuale”, thuhet në deklaratën e BDI-së. Ndërsa më tej theksohet se “qëndrimet e dy kryeministrave nxisin optimizëm se tani zgjidhja është më afër se kurrë”. Sipas Grubit dhe BDI-së, zgjidhja përfundimtare e cila do të arrihet duhet të jetë me dinjitet dhe e pranueshme për të dy palët.

“Kompromisi duhet të mundësojë integrim urgjent dhe pa asnjë vonesë të Maqedonisë në NATO dhe BE. Kjo kontribuon në paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në vendin tonë dhe rajon”, nënvizohet në deklaratë. Në fund BDI thotë se mbështet plotësisht përpjekjet Nimetz dhe negociatorëve në kontestin me Greqinë./abcnews.al