Deputeti grek takon Belerin, kritika Shqipërisë: Ka pasur disa akuza për krime zgjedhore, vetëm Beleri u arrestua

schedule12:25 - 11 Gusht, 2023

schedule 12:25 - 11 Gusht, 2023

Deputeti grek i Partisë Demokracia e Re, Angelos Syrigos, takoi këtë të premte në ambientet e spitalit të burgut në Tiranë, Fredi Belerin, kandidatin e zgjedhur për Bashkinë Himarë, i cili ndodhet me masë arrest në burg për korrupsion në zgjedhje.

Në një deklaratë për mediat, ai tha se ka dhjetëra akuza për korrupsion në zgjedhjet e 14 Majit dhe vetëm Beleri ndodhet sot në qeli, duke i hequr të drejtën për t’u betuar.

“Ky është rasti i vetëm nga 31 raste të tjera. Ai ka qenë i burgosur edhe pse presupozimi i pafajësisë nuk është marrë në konsideratë, përse qeveria shqiptare nuk respekton të drejtat civile dhe nuk e lejon atë të bëjë betimin si kryetar bashkie. Nëse ky është rasti, ligji do kishte thënë nëse një person ka kryer krim, nuk mund të bëjë betimin por ligji nuk e thotë një gjë të tillë. Pra, është një shkeljet e të drejtave civile”.

Paralajmëroi se hapi i radhës lidhur me këtë çështje, do të jetë në BE.

“Ky rast dëmton marrëdhëniet mes dy vendeve. Kjo është një çëshje shumë e madhe për ne, kjo s’ka të bëjë me burgosjen e tij. Kjo çështje është marrë në konsideratë nga BE dhe mund të bëhet një pengesë kryesore për procesin e integrimit të Shqipërisë që parashikohet të nisë së shpejti”.

Fredi Beleri u arrestua në ambientet e një lokali në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit. Edhe pse i arrestuar, ai mundi të fitojë zgjedhjet kundër kandidatit tjetër të së majtës, Jorgo Goro. Por, Beleri nuk ka mundur të marrë detyrën, pasi autoritetet nuk i dhanë leje për të kryer betimin për marrjen e detyrës. Arrestimi i tij ka tensionuar jo pak retorikën e fqinjëve grek, të cilët kanë kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!