Deputetët e rinj duan kredi me interes zero për të blerë shtëpi

schedule17:30 - 27 Shtator, 2019

schedule 17:30 - 27 Shtator, 2019

Përfaqësuesit e rinj të opozitës në Parlament i kanë kërkuar kryetarit të Kuvendit të krijojë mundësi ligjore që ata të marrin kredi me zero interes për të blerë shtëpi. Por, sipas kreut të Kuvendit, kjo çështje duhet t’i adresohet për zgjidhje Bashkisë së Tiranës përmes fondit për kreditë e buta.

Kur Lulzim Basha dhe Ilir Meta i vendsoi emrat në listat për deputetë shumë prej përfaqsuesit e opozitës së re parlamentare nuk e kishin menduar se do t’i buzëqeshte fati për t’u futur ndonjëherë në parlament dhe për të pasur në dorë fatet e vendit. Sot që e gëzojnë të plotë statusin e deputetit, duan t’i marrin çdo benefit. Disa kanë filluar ta shfaqin hapur luksin në hyrje të seancave plenare, por ka edhe të tjerë që rroga e deputetit dhe qëndrimi në Tiranë përkthehet në kosto të larta. Për këtë grup deputetësh ka menduar nënkryetari i Parlamentit, Myslim Murrizi i cili në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve i kërkoi kryeparlamentarit Ruçi të miratojë një ligj për t’i dhënë kredi të buta ose me interes zero deputetëve të rinj. Për të siguruar mirëqënien e ligjvënësve të rinj, Murrizi e sheh të arsyeshme edhe anulimin e punimeve për 100 metra të Unazës së Re.

“Nuk e di nëse është në tagrin e Konferencës së Kryetarëve, a të bëjmë ndonjë vendim, a të biem dakord të gjithë parimisht, për 15 apo 20 deputetët e rinj, të cilët kanë nevojë të mbështeten. Më duket se deri në vitin 2009 ka qenë ligji që deputetët dhe funksionarët e lartë publik përfitonin një kredi me interes të ulët. A ekziston mundësia që të bëhet një vendim Kuvendi apo qeverie, nëse keni ndrojtje nga populizmi thoni që e ka propozuar Myslim Murrizi, që këta deputetë të marrin kredi? Ata nuk janë aksionerë as në PPP-të dhe as në tendera, por e kanë të nevojshme të mbështeten me një kredi, siç kam marrë unë, por edhe ju në vitin 1997, 1992 dhe në vitet e tjera me radhë. Nuk besoj se është hipokrizi për të ndihmuar 15 apo 20 deputetë, prandaj duhet ta bëjmë një vendim. Pra, bëhet fjalë për 1 miliard lekë të vjetër, që janë më pak se 1 milion euro. T’ia heqim Unazës 100 metra dhe t’ua japim këtyre deputetëve që të kenë edhe ata një farë dinjiteti, sepse po bëhen si arixhinjtë me çadra. Unë besoj se gjithsecili deputet që është futur tani ka një farë rëndësie për mbarëvajtjen e këtij vendi, edhe për ekzistencën në këmbë të këtij parlamenti, ishalla po na hapen negociatat. Pra, nuk na kushton asgjë t’i mbështesim për të blerë një shtëpi”.

Gramoz Ruçi edhe pse nuk e fsheh mirënjohjen për prezencën e parlamentarëve të rinj në Kuvend e sheh të tepërt hartimin e një ligji të ri për disa deputetë mandati i të cilëve mund të jetë jo më shumë se sa 1 vjeçar. Por pavarësisht kësaj kryeparlamentari lë hapësirë për të zgjidhur çështjen e strehimit për ligjvënësit e rinj.

“Lidhur me kërkesën e deputetëve për kredi, ju lutem, kanë ardhur deputetë që e kanë shqetësim, e kanë pasur edhe të tjerët. Ka qenë dikur, është hequr. Të jemi realist, është e P a g e 12 | 12 vështirë që ne të bëjmë një ligj tani, por mund të shikohet problemi dhe do të kërkoja mirëkuptimin tuaj, që nëpërmjet Bashkisë së Tiranës, që ka fondin e kredive të buta, të interesohemi të përcillet shqetësimi që kemi ne. Por të bëjmë ne tani një ligj, se janë 5, 10 apo 20 deputetë, për më tepër për specifikën që kemi, që në mes të mandatit një pjesë e deputetëve kanë djegur mandatet, një pjesë e deputetëve kanë ardhur, që janë për një periudhë 1-vjeçare, e të tjera, nuk besoj se do të dalim gjëkundi si Kuvend, me mbështetje në këtë drejtim”.

Nga 140 anëtarë, Parlamenti i Shqipërisë pas djegies së mandateve nga PD dhe LSI ka aktualisht 122 deputetë pasi demokratët nuk mundën ta rinovojë plotësisht listën e tyre në nivel kombëtar. /ABC News Albania 24/7

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!