Gra grevistë në Ballsh, vijojnë t’i qëndrojnë vendimit të tyre për të marrë pagat e prapambetura.
Ditën e sotme janë vizituar nga ish-deputetet e PD, Orjola Pampuri dhe Dhurata Çupi, të cilat theksuan se qeveria nuk ka marrë asnjë masë për këtë situatë.
Grevistët i bënë thirrje Ministres së Energjetikës që të reagojë për këtë situatë, pasi tashmë përveç pagave të pashlyera, familjet e tyre janë edhe në borxhe.
“Puset shqiptare nxjerrin naftë me tonelatë dhe kjo duhet të vijnë në uzinën tonë që edhe këta të rinj të mësojnë. Përderisa ne morëm këtë vendim, duam që të na ikin lotët nga sytë njëherë e përgjithmonë. Themelet i kemi hapur qëkur kemi qenë në shkollë të mesme dhe sot jam këtu për bukën e gojës. Kjo është e rëndë.
Erdhëm këtu dhe u futëm pas asnjë lloj kontakti për familjarët. Punojmë me tre turne, pa ndërprerje dhe morëm këtë vendim. Shpresojmë të na dëgjojnë, jemi gra të shkolluara, të gjitha në këto këtu, sot mund të luajnë rolin e një inxhinieri”, tha një nga gratë në Ballsh.
“U kemi bërë thirrje të gjithëve dhe duam që të reagojnë për hallin tonë. Në çdo familje një person është i punësuar. Tani ne jemi dy vjet pa rroga, jo bukë që nuk kemi më, por jemi zhytur me borxhe”, u shpreh një tjetër.
Ndërkohë kreu i Sindikatës së naftëtarëve, Sokol Dautaj tha se nuk janë duke kërkuar lëmoshë, duke shtuar se, “pas 18 ditë në grevë urie burrat nuk morën asnjë përgjigje. Këtu është një gropë e madhe, po shkohet drejt vdekjes së një qyteti, çfarë do të bëhet me qytetin e Ballshit”, u shpreh ai.
“Le të na japin edhe përgjigje negative, por të paktën të vijë këtu. Kemi fatin e madh që ministrja është femër, të vijë këtu. Të futen gratë në grevë urie, për bukën e gojës, për gjakun tonë është turp i botës. Para tre vitesh shoku jonë la kokën atje”, tha një prej grave që tashmë është futur në grevë.
/abcnews.al/