Depozitohet në Kuvend ashpërsimi i Kodit Penal, 15 vite burg kush shkel rregullat e ndërtimit

schedule22:44 - 8 Shtator, 2020

schedule 22:44 - 8 Shtator, 2020

Sikur kishte paralajmëruar kryeministri Edi Rama, qeveria ka dërguar në Kuvend projektligjin për ashpërsimin e Kodit Penal, që ka qëllim ndëshkimin deri në 15 vite burg për personat që ndërhyjnë në mënyrë te paligjshme në konstruksionin e ndërtesave.

Qeveria u vendos në lëvizje për të hartuar projektligjin pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit të vitit të kaluar.

Projektligji parashikon që kryerja e cdo veprimi me dashje që mund të sjellë rrëzimin e pjesshëm apo të plotë të ndërtesës apo të ndërtesave të tjera që mund të rrezikojnë jetën e njerëzve dënohet me gjobë ose burgim deri në 5 vite.

Drafti parashikon që kur nga ndërhyrja, pra kryerja e veprës penale kanë ardhur pasoja të rënda materiale, dënimi varion nga 5-10 vite burg. Ndërsa kur janë shkaktuar pasoja të rënda për jetën e njerëzve dënimi varion nga 7 deri në 15 vite burg.

Inxhinierët, projektuesit dhe zbatuesit parashikohet që të dënohen nga 1 deri në 5 vite burg nëse lejojnë një ndërtim jashtë standardeve ligjore, ndërsa nëse nga vepra penale kanë ardhur pasoja të rënda materiale 10-15 vite dhe nëse ka pasoja në njerëz 7-15 vite./ db/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!