Depolitizim të zgjedhjeve, Bardhi: Administratë zgjedhore që i bindet ligjit

schedule20:08 - 11 Tetor, 2019

schedule 20:08 - 11 Tetor, 2019

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi se nuk ka pasur asnjë tryezë për reformën zgjedhore të organizuar të enjten dhe ku opozita nuk ka marrë pjesë.

Gjatë një interviste me gazetaren Mirela Milori në televizionin ABC News, Bardhi tha se ajo që u organizuar ditën e djeshme ishte mbledhje e komisionit parlamentar të reformës zgjedhore, diçka që opozita e bashkuar nuk e njeh dhe e konsideron ilegjitime.

“Dje nuk ka patur asnjë tryezë për reformën zgjedhore ku PD të ketë qenë e ftuar. Ka pasur një mbledhje të komisionit parlamentar. Atje marrin pjesë deputetët e Kuvendit. Kuvend që opozita e konsideron jo legjitim dhe të dalë nga zgjedhjet e manipuluara të vitit 2017. Zoti Gjiknuri apo PS është palë në këtë proces dhe është palë e barabartë me opozitën. Qoftë PD, qoftë PS janë aktorë të zgjedhjeve dhe në momentin kur reformohen rregullat e lojës secila prej tyre është e barabartë në trajtimin apo ndërmarrjes së reformës që sjell rregulla të tjera loje. Opozita e ka bërë të qartë qëndrimin që jemi të gatshëm, duke qenë se është prioritet kryesor i vendosur për hapjen e negociatave, që ditën e parë kur kjo çështje u kthye në një kusht të Bundestagut opozita tha se do të japë kontributin e vet në reformën zgjedhore. Si mund të përfshihemi? Duke siguruar barazi mes palëve në këtë proces”, tha Bardhi.

Në të njëjtën studio të enjten, bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri deklaroi se Partia Socialiste është e hapur për depolitizim të plotë zgjedhor. Madje ai theksoi se mazhoranca është e gatshme të rishikojë formulën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Për këtë të fundit, sekretari i PD-së tha se opozita është tërësisht dakord pasi janë kapur në shkelje në zgjedhjet e 30 Qershorit. Megjithatë, Bardhi vuri theksin te garantimi i një administrate zgjedhore që i nënshtrohet ligjit.

Sipas tij, edhe ndërkombëtarët janë larguar nga ideja e depolitizimit të plotë dhe flasin për ndryshim të procedurës që propozon administratorët e zgjedhjeve për të garantuar që ata i nënshtrohen në çdo rast ligjit.

“Edhe ne jemi të hapur për të parë të gjitha modelet që garantojnë administratë zgjedhore të balancuar dhe që qëzon besimin e të gjitha palëve sikundër një administratë zgjedhore që i bindet ligjit dhe jo urdhrave politikë. Përsa i përket KQZ është provuar që ky KQZ i zgjedhjeve është në pamundësi për të administruar zgjedhje të lira dhe të ndershme sepse është kapur në flagrancë nga OSBE/ODIHR duke shkelur ligjin, dhe kështu reformimi i KQZ dhe mbajtja përgjegjësi e anëtarëve aktualë për shkeljet gjatë votimeve moniste të 30 Qershorit sigurisht janë kërkesa të opozitës dhe këtu biem dakord. Unë fola për një administratë zgjedhore biem dakord dhe kemi bërë propozimet tona për një administratë zgjedhore që i nënshtrohet ligji. Nëse do të ketë një procedurë të tillë që garanton pavarësi në ushtrim të detyrës nga administrata zgjedhore, kjo është diçka që duhet parë. Gjiknuri është për depolitizimin e administratës zgjedhore, mundësisht propozimi i tij është që ti administronin mësuesit dhe drejtorët e arsimit, por ne i kemi parë si i trajtonte ata në 2016-n. I merrte në telefon dhe i kërcënonte. Këta do e administrojnë zgjedhjet? Kështu do e bëjnë depolitizmin e zgjedhjeve”, tha Bardhi.

Për sa i përket ndryshimit të sistemit zgjedhor, Bardhi tha se ky ka qenë qëndrim i hershëm i kreut të selisë blu Lulzim Basha. Megjithatë, për momentin opozita kërkon që të garantohet leximi i votës së qytetarëve.

“KÇK shkarkohet nga institucionet kushtetuese që quhen komisionet e vettingut. Nëse zotëria do të ngrejë një zyrë në këshillat e ministrave që të identifikojë prokurorët dhe gjyqatrët që hetojnë këtë dhe i shpall, kjo është çështje kundër Kushtetutës dhe akt që tregon identifikimin e të keqes tek të tjerët, kur të keqen e ka tek vetja”, tha Bardhi.  /abcnews.al