“Denoncuesja një varr për vete, një për burrin”, prokuroria kërkon burg për 6 të arrestuarit: Adi nxori eshtrat për të liruar vend

schedule14:11 - 8 Korrik, 2022

schedule 14:11 - 8 Korrik, 2022

Shitja e varreve në Tufinë ka çuar në pranga 8 persona, mes tyre edhe drejtorin e Agjencisë së Shërbimeve Funerale në bashkinë Tiranë, Eliodor Ndini.

Me këtë skemë korruptive ku sekserët takonin njerëzit që donin të varrosnin dikë apo rezervonin një varr, ishin përfshirë edhe disa zyrtarë të tjerë që punonin në varrezat e Tufinës, si dhe sekserë. Më fund të muajit maj të këtij viti një denoncim ka ardhur në polici nga një grua, M.S. Në kallëzimin e saj M.S, ka shpjeguar se para tre vitesh ka qenë e interesuar për dy varre, një për vete dhe një për bashkëshortin e saj. Po në atë periudhë në muajin shtator të 2019, ajo është takuar me një person me emrin Bujar  dhe sipas kallëzueses është shoferi i varrezave në Tufinë.

Bujari i ka thënë që e njihte përgjegjësin e varrezave të Tufinës dhe quhet Adi dhe bashkë me të do të gjejnë varret që kërkonte zonja M.S.

Më tej kallëzuesja bashkë me bashkëshortin e saj me Adi dhe me Bujarin janë takuar tek varrezat dhe Adi i ka treguar dy varre të vjetra dhe i ka thënë se ka kufoma brenda, do t’i heqin dhe do t’i fusin në vende murale. Ndërsa ajo që mbetet do të rregullohet me bordurë sipër dhe do mbarojë këtë punë me 500 mijë lekë të vjetra. Në muajin dhjetor të 2019 pasi M.S ka marrë shpërblimin e Viti të Ri dhe me kursimet që kishte ka plotësuar shumën prej 500 mijë lëkësh dhe ia ka dorëzuar Bujarit pikërishtnë makinën e tij.

Prokuroria ka kërkuar arrest me burg për: 1- Eljodor Ndini, 2- Gamzend Daja, 3-Bujar Lica, 4- Alban Ajazi, 5-Endri Milla, 6- Latif Shehu.

Ndërkohë arrest në shtëpi është kërkuar për: 7- Fatjon Gjonajn dhe 8-Xhemal Menan.

Në pranga kanë rënë:

– Eliodor Ndini, 32 vjeç, me detyrë Drejtor i Agjencisë së Shërbimeve Funerale të Bashkisë Tiranë, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i punonjësve që ushtrojnë funksione publike”, “Ushtrimi i ndikimit i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”;

– Xhemal Mena, 61 vjeç, me detyrë punonjës i Sektorit të Varrezave Tufinë, në Agjencinë e Shërbimeve Funerale të Bashkisë Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

– Latif Shehu, 63 vjeç, me detyrë punonjës i Sektorit të Varrezave Tufinë, në Agjencinë e Shërbimeve Funerale të Bashkisë Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

– Gazment Daja, 49 vjeç, me detyrë punonjës i Sektorit të Varrezave Tufinë, në Agjencinë e Shërbimeve Funerale të Bashkisë Tiranë, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”;

– Bujar Lica, 66 vjeç, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”;

– Alban Ajazi, 28 vjeç, për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike dhe “Korrupsioni pasiv i punonjësve që ushtrojnë funksione publike”;

– Endrin Milla, 37 vjeç, për “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsion aktiv i punonjësve që ushtrojnë funksione publike”;

– Fatjon Gjonaj, 24 vjeç, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.

Gjithashtu, u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit Roza Ndoj, 44 vjeçe dhe Julian Çuka, 31 vjeç, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Në vijim të veprimeve u shpallën në kërkim shtetasit Shaqir Nika dhe Fabjon Gjonaj.

/abcnews.al/

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!