Denoncimi i fermerit në Vaun e Dejës: Subvencionin s’e mora unë që punoj tokën, por pronari

schedule18:43 - 28 Korrik, 2022

schedule 18:43 - 28 Korrik, 2022

Fermeri Isa Moriqi nga fshati Melgushë i Bashkisë Vau i Dejës ka marrë rreth 8 dynym tokë me qira, për të cilën duhet të kishte përfituar subvencionim për naftë. Sipas tij jo vetëm që nuk ka përfituar, por nafta ka shkuar tek i zoti i tokës, që prej 20 vitesh jeton në Durrës.

“Tokën e kam me qira me letra, më ka firmosur nënkryetari i Bashkisë. Unë s’kam marrë gjë, e mori i zoti i tokës. Janë hajna ata që i japin naftë atyre që nuk punojnë tokën dhe jo neve”, thotë Moriqi.

Nga ana tjetër fermeri Sokol Matosha shprehet se disponon gjithë dokumentacionin, por nuk ka përfituar subvencion.

“Jam këtu për t’i thënë Kryetarit të Bashkisë që jam fermer kam dhe NIPT, kam kontratën e tokave me banorët. Ja dhe aplikimi që kam bërë tek zyrat e bujqësisë dhe më thonë s’kemi internet. Kryetari i Bashksië thotë që s’jam fermer, të ma gjejë një fermer tjetër me letra që punon 80 dynym tokë. Si nuk e di në jemi fermerë? Taksat di ti marrë”, thotë Matosha.

Jo vetëm këta por dhe fermerë të tjerë kanë kallzuar në Prokurori Bashkinë e Vaut të Dejës dhe Drejtorinë Rajonale të Bujqësisë. Armando Lekaj sqaron se padia ndaj Bashkisë nuk ka të bëjë me vjedhje të naftës, por për lëshimin e kontratave të qiramarrjes.

Ata kërkojnë nga Drejtoria Rajonale e Bujqësisë të sqarojë se përse kanë marrë naftë punonjës të administratës dhe ata që nuk punojnë tokën. /abcnews.al

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!