LETRA/ Nga lidhja me francezen tek takimi me grekun, si e denoncoi gruaja Maks Velon

schedule15:20 - 8 Maj, 2020

schedule 15:20 - 8 Maj, 2020

Historia e jetës së Maks Velos, arkitekti që u nda nga jeta në 7 maj është ndoshta një simbol se si funksiononte komunizmi duke shkatërruar shoqërinë deri në bërthamën më të fortë e të shenjtë, atë të familjes.

I denoncuar nga ish-gruaja dhe miqtë e tij ai u arrestua dhe përfundoi në burg dhe iu shkatërruan më shumë se 200 vepra arti nga regjimi diktatorial.

Në një nga rrëfimet e tij në media pas viteve ’90 ai ka rrëfyer se u njoh dhe u dashurua me një vajzë, që vetëm pas martesës do të zbulonte se ishte agjente e Sigurimit të Shtetit dhe faktori kryesor në dënimin e tij 10 vjeçar.

Shumë vite më vonë ai do të lexonte dhe dëshminë e njeriut më të afërt të tij që e çoi drejt arrestimit.

Dëshmia e ish-gruas së tij do të ishte tronditëse për Velon, aty thuhej:

“Luçiana Naraçi / Dëshmitarja u pyet rreth çështjes dhe deklaroi:

Unë kam ardhur për të thënë disa gjëra në drejtim të Maks Velos, me të cilin kam qenë e martuar dhe jam ndarë në mars 1976 për motive: Për qëndrime të huaja karshi gruas. Gjatë kohës së bashkëjetesës kam konstatuar te Maksi se ishte i dhënë pas artit dekadent. Ai në shtëpi kishte piktura që për mendimin tim nuk i përgjigjeshin realizmit socialist. Shpesh herë për këto piktura Maksi thoshte se i përgjigjeshin kohës pasi cdo gjë ecën përpara.

Në qoftë se njerëzit duan të shikojnë dicka reale ato e fotografojnë dhe nuk ka nevojë për ta pasqyruar në pikturë. Prandaj piktura nuk duhet të jetë krejtësisht realiste.

Pasi është dënuar Fadil Pacrami, Maksi është shprehur në një bisedë në familjen e vet, ku isha edhe unë prezent se “Fadili qëndroi si burrat nuk e dha veten”. Në kohën që Maksi u dërgua për riedukim në fshat, thoshte se: Mua më kanë dënuar kot, këta nuk dinë ti vlerësojnë njerëzit, mua më hoqën se jam i zoti. Lidhur me jetesën Maksi shprehej se nuk dalin lekët megjithëse mirrte 800 lekë në muaj, dhe nuk kontribuonte asgjë për shtëpinë dhe për djalin.

Ai thoshte shpesh herë se këtu nuk vlerësohet puna dhe arti, të ishin këto piktura që kam bërë unë, jashtë shtetit, do të vlerësoheshin shumë, do të kushtonin miliona. Maksi ka patur një marrdhënie me një franceze me të cilën ka patur edhe korrespodencë. Ajo i ka ardhur disa herë në shtëpi, ka dalë në fotografi me të. Maksi ka marrë dhuratë nga ajo, libra të ndryshëm, midis tyre edhe një libër të “Pikasos”. Ka dalë jashtë Tirane me të.

Maksi shpesh herë më fliste për francezen dhe për jetën atje, që në Francë do të cmoheshin shumë veprat e Maks Velos pasi atje cmohet cdo gjë ndryshe. Lidhur me veprat e Pikasos, Maksi thoshte se ishte piktor i madh botëror, thoshte shiko sa të bukura janë pikturat e tij, në fakt ato piktura nuk kishin asnjë vlerë edukative.

Në shtëpi të Maksit  në një rast ka ardhur edhe një grek, të cilit familja e Maksit i ka treguar studion e tij. Maksi ka lënë në shtëpinë e mamasë time dy libra të karikaturistit francez Zhan Eifel, në gjuhën ruse.

Këto libra tregojnë për krijimin e njeriut nga zoti dhe krijimin e botës. Autori është reaksionar dhe këto i dorëzova në drejtorinë e brendshme. Maksi shprehej se ishte një nga karikaturistët më të mirë të botës dhe veprat e tija janë me vlerë. Në librat e të jatit kam gjetur një fotografi të Maksit që ka dalë me vëllanë në moshën e fëmijërisë, të veshur ushtarakisht me uniformë fashiste, duke përshëndetur me dorë. Këtë fotografi e kemi dorëzuar në drejtorinë e brendshme.

Deklaruese, Luciana Naraçi, Tiranë më 16.03.1978.

Maks Velo u arrestua më 14.10.1978.

Gjashtë ditë më vonë, DPB Tiranë përpiloi planin hetimor-agjenturial operativ për të. Hetimi synonte zhvillimin e një hetuesie intensive për t’i kërkuar se kur kishte filluar të pikturonte në kundërshtim me normat e realizmit socialist, si dhe me sa persona kish zhvilluar agjitacion e propagandë.

Me vendimin nr.141, datë 17.4.1979 Gjykata e Rrethit Tiranë, e deklaroi fajtor në bazë të nenit 55 të Kodit Penal dhe e dënoi me 10 vjet burgim dhe me konfiskimin e pikturave, punimeve në dru e metal, si dhe revistat e huaja.

Midis të tjerash, në vendim thuhej:

 “U vërtetua se i pandehuri Maks Velo, nën ndikimin e rrymave të huaja reaksionare në art si ekspresionizmi, posekspresionizmi, formalizmi, kubizmi, frojdizmi, etj, rryma këto të përfaqësuara nga Gogen, Modilian, Brek, Pikaso, Frojdi, etj, ka bërë punime në pikturë, vizatime, bakër, etj, të cilat përshkrohen tërësisht nga këto rryma, duke iu kundërvënë kështu metodës së realizmit socialist.

Punimet e bëra nga i pandehuri…janë të shkëputura nga jeta, nga problemet që e preokupojnë vendin tonë, nga heroizmi e fryma luftarake, optimizmi dhe vrulli revolucionar i masave tona punonjëse për ndërtimin e socializmit në vendin tonë, në kundërshtim me ideologjinë marksiste-leniniste e mësimet e partisë dhe të shokut Enver, në kundërshtim me metodën tonë të artit të realizmit socialist, me karakterin kombëtar dhe frymën popullore, me partishmërinë proletare dhe karakterin klasor si tipar themelor i artit tonë revolucionar”.

Maks Velo humbi jetën në moshën 84-vjeçare, nga një sëmundje e rëndë, për të cilën prej 1 muaji ishte duke marrë trajtim mjekësor në QSUT./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!