Ish-kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski u dënua me 2 vite heqje lirie, pasi Gjykata Penale në Shkup e shpalli fajtor për rastin “Tanku”. Ndërsa ish zv/ministri i Brendshem Gjoko Popovski me 6 vite e 6 muaj burg. Gruevski nuk ishte i pranishëm në Gjykatë në momentin e vendimit, dhe përfaqësohej nga avokatët e tij.
Prokuroria Speciale në seancën e fundit kërkoi nga gjykata që Nikola Gruevski të shpallet fajtor për blerjen e automjetit të llojit Mercedesit me vlerë prej 600 mijë euro. Sipas akuzës së prokurorisë automjeti është blerë me paratë e buxhetit. Prokuroria ka vërtetuar me anë të provave se mercedesi i blinduar është porositur para se Ministria e Punëve të Brendshme të nënshkruante marrëveshjen me shpërndarësin zyrtar nga Maqedonia.
Në çështjen e njohur si “Tanku” e akuzuar është edhe ish-ministrja e Brendshme Gordana Jankulovska, por procesi i saj u ndërpre pasi i rrezikohej mbarëvajtja e shtatzanisë. Por, sipas mediave maqedonase pavarësisht vendimit Gruevski, mund të dalë në liri me kusht, pasi nuk ka qene i dënuar më parë. Ndërkohë një grup prej rreth 50 mbështetësish të ish-kryeministrit Nikola Gruevski u mblodhën para Gjykatës Penale në Shkup, ku protestuan kundër vendimit të kësaj Gjykate. /abcnews.al