Dënimi shembullor për trukime, gjyqi i Bodes shpresa e fundit e Skënderbeut

schedule08:09 - 8 Prill, 2021

schedule 08:09 - 8 Prill, 2021

Skënderbeu ka edhe një shpresë për t’i shpëtuar dënimit nga UEFA. Ky është lajmi i fundit me të cilin është hapur e përditshmja sportive “Panorama Sport”. Një çështje shumë e koklavitur, duke pasur parasysh që CAS e ka lënë në fuqi dënimin e dhënë nga qeveria e futbollit europian.

Gjithsesi në Korçë shpresojnë që gjyqi i nisur nga Ridvan Bode për shpifje dhe prishje të imazhit të jetë “asisti” për ta, për të nisur një tjetër proces gjyqësor. Kjo ndodh nëse ish-Ministri i Financave do të triumfojë në gjyq dhe Skënderbeu vendimin do e përdorte si precedent. Në Korçë shpresojnë dhe mendojnë ndoshta edhe për ndonjë plan B.

ÇFARË KISHTE NDODHUR – Skënderbeu u dënua tre vite më parë për trukim ndeshjesh. Klubi korçar e pësoi rëndë nga UEFA. Komisioni i Etikës dhe Disiplinës në UEFA vendosi që të pranojë kërkesën e inspektorëve për të dënuar ekipin e Skënderbeut me 10 vite përjashtim nga kompeticionet europiane dhe me 1 milion euro gjobë.

lacote.ch raportoi pak kohë më parë se një ish-deputet shqiptar është paraqitur më 26 janar në Nion të Zvicrës për të ngritur padi ndaj dy ish-inspektorëve të UEFA-s (Karl Dhont dhe Miguel Lietard Fernandez) për shpifje dhe prishje të imazhit. Këta të fundit hartuan raportin për akuzat ndaj Skënderbeut.

Portali helvet nuk përmendte emra për ata që kishin ngritur padinë, por Panorama Sport shkruante se bëhet fjalë për Ridvan Boden, ish-ministrin e Financave, dhe një biznesmen shqiptar, i cili ka qenë afër klubit korçar.

Këta dy persona ishin përmendur në raportin e përpiluar nga dy ish-inspektorët për trukim ndeshjesh dhe tani ka një akuzë për shpifje të ngritur prej Bodes dhe biznesmenit shqiptar. /abcnews.al