Skënderbeu është bërë shembull nga UEFA, që e ka përjashtuar për 10 vite nga kupat e Europës dhe e ka gjobitur me 1 milion euro. Sportradar, kompania që punon për llogari të UEFA-s, që ka ndërtuar sistemin BFDS për parandalimin e basteve, së fundmi ka përfunduar nën akuzë në Itali.
Një i penduar ka folur për pagesa të bëra në dorë, si dhe pretendohet se nuk janë raportuar ndeshje të ndryshme të trukuara në Serie B. Kompania me seli në Zvicër ka hedhur poshtë gjithçka. Klubi korçar ka reaguar sot, teksa shkuan: “Si ka mundësi që Skënderbeun duan ta “djegin” këto kompani dhe disa persona të cilët dyshohen dhe janë nën hetime për lidhje me mafien? Nga Sportradar, deri tek Presidenti i Federbet, i cili ka sulmuar personalisht Skënderbeun…”.
Korçarët ndërkohë kanë publikuar edhe linqet me lajmet e bëra publike në media të ndryshme në Itali. Skënderbeu nuk ndalet me aq, teksa ka akuza edhe për persona që kanë marrë pagesa për të dëshmuar.“Ka dhe nga ata që kërkojnë dhomave private prova kundrejt pagesave ilegale… Drejtësia nuk do të vonojë”, shkruajnë bardhekuqtë, që zbulojnë edhe disa mesazhe misterioze, pa bërë publik emra.
MESAZHET MISTERIOZE
“Të thashë që mund të fitojmë, por na duhen edhe më shumë prova kundër Takajt. Kur mund të takohemi?”
“Pra, na jepni prova që do të na ndihmojnë ne për ta varrosur atë”.
“Çfarë? Unë nuk kam ndërmend të flas derisa të vish dhe të diskutojmë për pagesën e provave”.
/abcnews.al