Dënimi i UEFA-s, si Skënderbeu kërkon ta heqë edhe me ndihmën e FSHF

schedule08:18 - 24 Shtator, 2020

schedule 08:18 - 24 Shtator, 2020

Skënderbeu vuan një dënim të rëndë nga UEFA, për shkak të trukimeve të bëra në ndeshjet e kupave të Europës. 10 sezone pezullim për të luajtur në kompeticionet e UEFA dhe 1 milion euro gjobë, ishte dënimi që korçarët morën dhe mbeti në fuqi edhe pasi çështja u apelua në CAS dhe më pas edhe në Gjykatën Federale të Zvicrës.

Tani ka një dritë shprese për Skënderbeun, që i ka shlyer tre sezone nga pezullimi i marrë. Sipas gazetës “Panorama Sport” po përgatitet një kërkesë për amnisti, ndërkohë që në artikull tregohet edhe pse në Korçë janë optimistë dhe vendosën të mos ndryshojnë emrin e klubit, për t’ia nisur nga fillimi.

 

 

ÇFARË SHKRUHET NË ARTIKULL – E përditshmja sportive, në numrin e sotëm shkruan se “Nga Skënderbeu do të kërkohet një amnisti dhe plani tashmë është i qartë. Nuk është thjesht një hipotezë, pasi burime të mirinformuara tregojnë se për këtë po lobon edhe vetë FSHF. Më konkretisht, më 2 mars të vitit 2021, UEFA organizon në Minsk të Bjellorusisë kongresin e 45-të.

Shpesh qeveria e futbollit europian, kur ka pasur data jubilare në kongreset e ndryshme, ka shqyrtuar kërkesa të çdo natyre për amnisti. Zakonisht këto janë parë sa herë UEFA ka qenë në prag të zgjedhjeve për presidentin e ri.

Në këto kushte, duke pasur parasysh faktin se 2021-shi e fut Skënderbeun në vitin e pestë që prej marrjes së dënimit, paçka se sportivisht ka shlyer vetëm 3 nga 10 vite, do të dërgohet një shkresë e përpiluar në atë mënyrë që mund të bindë Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!