Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me dënimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Bardhi thotë se PD është në mbështetje të plotë të SPAK dhe pret që ajo të veprojë me vendosmëri pa u ndalur ndaj kujtdo.
“Saimir Tahiri nuk është i fundit, ai është vetëm i pari në listën e gjatë të atyre që do të përballen me drejtësinë për krimin, korrupsionin e trafiqet që me Ramën në krye e shndërruan Shqipërinë në Kolumbinë e Europës dhe vendin më të korruptuar në Europë.
Edi Rama mbrojti Saimir Tahirin sepse është edhe vetë i kapur ‘kokë e këmbë’ nga krimi. Edi Rama nuk thotë dot asnjë fjalë sepse ai e di që të gjitha fijet e krimit dhe trafiqeve lidhen te ai. Ai kishte të gjithë informacionin nga institucionet shqiptare dhe partnerët, por e mbrojti Saimir Tahirin dhe ministrat e tjerë të tij sepse ishte ai garanti i krimineleve të cilet i siguronin vota.
Me një drejtësi të pavarur Rama sot nuk do të ishte kryeministër po do të ishte më e pakta nën hetim për kanabizimin e Shqipërisë, korrupsionin, kriminalizimin e shtetit, inceneratorët etj.
PD është në mbështetje të plotë të SPAK dhe pret që ajo të veprojë me vendosmëri e pa u ndalur ndaj kujdo që ka shkelur ligjin dhe e ka shndërruar Shqipërinë në vendin më të korruptuar të Europës”, u shpreh Bardhi. /abcnews.al