Dënimi i Navalnyt/ Ndërkombëtarët të ashpër me Putinin: Të lirohet menjëherë

schedule21:23 - 4 Gusht, 2023

schedule 21:23 - 4 Gusht, 2023

Ndërkombëtarët kanë reaguar ashpër për dënimin e Alexei Navalnyt nga drejtësia ruse.

Rivali politik i Putinit, i cili është në burg për akuza mashtrimi, u dënua sot me 19 vjet burg shtesë për aktivitete ekstremiste.

OKB bëri thirrje për “lirimin e menjëhershëm të tij”. “Ky dënim ngre shqetësime të reja në lidhje me sistemin gjyqësor në Rusi”, tha Komisioneri i Lartë për të Drejtat e Njeriut Volker Turk, duke u bërë thirrje autoriteteve ruse të ndalojnë shkeljen e të drejtave të Navalny dhe ta lirojnë atë.

“Ky dënim i ri është një goditjeje ndaj lirisë së shprehjes dhe opozitës politike në Rusi”, vëren zyrtari më i lartë i OKB-së për të drejtat e njeriut.

Bashkimi Evropian e quajti vendimin e sotëm si të “motivuar politikisht” dhe e cilësoi si “të papranueshëm” dënimin dhe kërkon lirimin e “menjëhershëm dhe pa kushte” të opozitarit rus.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel e quajti gjyqin një “parodi” dhe “dënim të pabazuar”.

“BE dënon në mënyrën më të fortë të mundshme dënimin e Navalnyt” tha kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.

Ministrja e Jashtme gjermane, Analena Burbock e quajti një padrejtësi. “Putini ka frikë nga ata që kundërshtojnë luftën, korrupsionin dhe mbrojnë demokracinë, qoftë edhe nga një qeli burgu. Dënimi nuk do t’i heshtë zërat kritikë”, theksoi Burbock në postimin e saj.

Parisi dënoi gjithashtu dënimin me burg të Navalny. “Ne u bëjmë thirrje edhe një herë autoriteteve ruse që të lirojnë Navalny menjëherë dhe pa kushte, si dhe të gjithë të burgosurit politikë”, tha një përfaqësues i Ministrisë së Jashtme franceze. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!