Dënimi i dy klubeve të Superiores, presidenti Armando Duka i thotë gjërat hapur

schedule20:45 - 22 Janar, 2020

schedule 20:45 - 22 Janar, 2020

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, ka prekur disa tema të rëndësishme të futbollit shqiptar në UET, aty ku ishte për Forumin e Futbollit. Duka foli fillimisht për dënimin e dy klubeve, Flamurtari dhe Luftëtarit, si dhe trukimet në futbollin shqiptar.

“Siç e thamë dhe në fillim, klubet e futbollit profesioniste nuk duhet të jenë me bilance negative. Bilancet negative ndikojnë dhe te pagesa e atyre që luajnë futboll dhe çdo njeri, ka të drejtën të paguhet për punën që bën. Tashmë, përderisa flasim për një futboll profesionist, nuk ka të drejtë askush që të mos i paguajë futbollistët.

Një nga rregullatorët ndërkombëtarë, pra jo vetëm të FSHF-së, është FIFA që merr disa masa parandaluese për të mos arritur në nivele akoma dhe më të këqija. Në rast përsëritje të shkeljeve, më konkretisht mos-pagimin e futbollistëve, FIFA vepron, të jep paralajmërime, të jep detyrim për të paguar dhe nëse nuk paguan të bllokohet merkato, dhe e fundit është bllokim merkato.

Flamurtari dhe Luftëtari janë në fazën e parafundit të këtyre që unë thashë, detyrimi për të paguar futbollistët dhe nëse nuk i paguajnë, unë nuk di ta them datën fiks, atëherë nuk kanë të drejtë të bëjnë merkato. Deri më sot që ne flasim, këto dy klube kanë detyrime të papaguara, nuk kanë bërë asnjë lëvizje në merkato dhe nuk mund të bëjnë merkato. Nëse deri në afatin e përcaktuar, nuk janë në atë fazën e fundit, nuk mund të vazhdojnë merkaton. Brenda afatit të përcaktuar, nëse arrijnë të bëjnë pagesat, atëherë mund të rikthehen në merkato.

Mendoj se është e drejtë, pavarësisht se është e dhimbshme. Dikush thotë: Jo po u penalizua ky qytet, apo ai tifozi. Po ky futbollisti, që ka luajtur 1 vit ose më shumë, a nuk ka të drejtë të paguhet? Me dhimbje me Gjirokastrën dhe me Vlorën, por duhen mbrojtur të drejtat e futbollistëve dhe të kemi organizata sportive të shëndetshme. Organizatat sportive të pashëndetshme, më mirë të eliminohen, sesa të vazhdojnë të zvarriten”, tha mes të tjerash Duka./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!