TIRANË– Kryeministri i Britanisë së Madhe Keir Starmer, u pyet në konferencën që zhvilloi me kryeministrin Rama në lidhje me denigrimin e bërë nga ish-sekretaria e Punëve të Brendshme, Suella Braverman ndaj shqiptarëve.
Starmer tha se nuk preferon të komentojë paraardhësit e tij, por shtoi se qasja e tij është krejt e ndryshme.
“Fakti që unë, kryeministri i parë britanik që vij në Tiranë në këtë takim dy palësh, duhet të shihet edhe si një deklaratë qëllimi për mënyrën sesi ka krijuar një lloj force marrëdhënia jonë. Nuk dua të bëj komente për kryeministra të mëparshëm të qeverive britanike, por qasja jonë nuk është ajo diplomacia me megafon.
Unë nuk dua të bërtas për problemet, po thjesht dua të përvesh mëngët edhe të jem shumë pragmatist dhe t’i zgjidh këto çështje dhe këtë e kemi treguar dhe dëshmuar tashmë. Kjo ka qenë një mënyrë efektive që nga modeli i trafikimit të paligjshëm dhe deri tek bashkëpunimit ushtarak.”, tha ai.
Kryeministri i Shqipërisë theksoi se nuk ka qenë kryeministri Sunak, i cili ka etiketuar me epitete ofenduese shqiptarët, por ky akt është kryer nga persona të tjerë në Britani.
Në një përgjigje me karakter “satirik”, Rama u shpreh se ato persona i kanë zënë “mallkimet” e shqiptarëve dhe tani ndodhen janë jashtë parlamentit britanik.
“Na duhet të jemi të drejtë dhe mos të harrojmë, që nuk është se ka qenë ndonjë kryeministër britanik që ka ofenduar apo ka treguar me gisht shqiptarët, kanë qenë individë të tjerë që e kanë bërë, megjithatë nuk është justifikim, sepse ishin zgjedhur nga populli britanik me votë.
Megjithatë, mallkimi i shqiptarëve nuk ishte shumë i mirë për ta se tani janë jashtë parlamentit. Kjo mjafton, nuk ka nevojë për më shumë se kaq“, tha ai./abcnews.al

