Denaj paralajmëron ndryshime në Kodin e Procedurës Tatimore

schedule15:20 - 5 Gusht, 2019

schedule 15:20 - 5 Gusht, 2019

Tolerance zero dhe masa më të ashpra paralajmëron ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj për të luftuar informalitetin. Denaj publikoi të dhënat e aksionit një mujor ndërmarrë në sektorët kryesore të ekonomisë në vend.

Rezultatet e muajit të fundit në luftë me informalitetin e kanë çuar Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë në këtë përfundim.

“Ka raste që disa subjekte mund t’i kenë shpëtuar masave të pezullimit si pasojë vendimeve gjyqësore apo disa mekanizmave anashkaluese, duke na bërë të marrim masa për ndryshime në Kodin e Procedurave Tatimore. Dhe padyshim që përshkallëzimi i masave të gjobës do të jetë një alternativë për t’u konsideruar, përtej asaj të pezullimit”.

40% e subjekteve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në sektorin e hoteleri-turizmit inspektuar nga administratat tatimore gjatë muajit Korrik kanë rezultuar me probleme.

“Në kuadër të procesit të formalizimit, jemi duke komunikuar me përfaqësuesit e platformës Booking.com,  të cilët nuk kanë ende përfaqësues tatimor në vendin tonë për të formalizuar procedurat e deklarimeve të subjekteve shqiptare të regjistruara në këtë platformë”.

Në sektorin e hidrokarbureve ministrja e Financave thotë se ka nisur ndërgjegjësimi ndërsa kontrollet po vijojnë.

Lupës së tatimeve nuk i kanë shpëtuar as produktet e tjera të akcizës ndërsa një tjetër sektor do të jetë objekt kontrollesh këtë muaj.

‘Në fushën e ndërtimit, nga sot ka nisur monitorimi i 160 subjekteve që kanë rezultuar me rënie në xhiro, janë përcaktuar gjithashtu 20 subjekte të mëdha në këtë fushë të cilat do të analizohen së bashku me specialistët nga Drejtoria e Krimit Ekonomik. Ndërkohë që vetëm për muajin korrik 2019 janë referuar në Prokurori, 10 subjekte me shkelje”.

200 studentë të sapodiplomuar të përzgjedhur nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit kete muaj do te asistojnë në terren Strukturat e Monitorimit të Administratës Tatimore në kuadër të Planin Operacional kundër Informalitetit./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!