Dëmtohet rruga e Labinotit një muaj pas shtrimit

schedule14:31 - 18 Shtator, 2021

schedule 14:31 - 18 Shtator, 2021

Nga Aldo Kozarja

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka kontraktuar “Vëllezërit Hysa shpk. dhe Ergi shpk.” për asfaltimin e 20 km rrugë nga Labinoti deri në fshatin Guri I zi.

Por siç shikohet nga pamjet asfalti ka nisur të prishet kur ka kaluar jo më shumë se 1 muaj e gjysmë nga shtrimi i tij përgjatë këtij segmenti rrugor që lidh fshatin Labinot mal me qytetin e Elbasanit.

“Edhe aty tek kthesa poshtë është prishur asfalti. Punime cilësore nuk ka. Betone anësore nuk janë bërë. Këto janë taksat tona,” thotë një banor. “Po u prish që tani, asfalti pas 2-3 vjetësh do prishte fare,” shprehet një tjetër.

Sipas banorëve në disa pjesë të rrugës është abuzuar dhe me gjerësinë e saj.

“Abuzim është se 3 metra e 80 cm është ajo ai thotë 4 metra po nuk është. Ata që e kanë matur thonë 3.80,” thotë banori.

Këtij banori punimet i kanë shkaktuar dhe dëme.

“Bëra fjalë se kjo është pjesën time kur bënë gërmime e shembën. I thashë atij të firmës që do shembet më tha jo. E gërmuan e lanë dhe u shemb e këtu e aty poshtë. Kanalet s’janë bërë farë,” shprehet ai.

Problematikat nga ky investim vazhdojnë dhe brenda fshatrave. Banorët e fshatit Rrenas ankohen se  prej marrjes së inerteve rruga e fshatit dhe ura rrezikojnë të shemben.

“Kanalet, ujërat ku do kalojnë do na bllokojnë ne rrugën këtu. Erdhën gërmua morën materiale do I bëjmë me sistem rrugën thanë e ja s’bën asgjë. Këtu gërmuan dolën e ca cuna në protestë por ata I kanë krahët e ngrohtë dhe s’ju ndodhi gjë. Aty gërmuan aty në shkëmb, ka 4 a 5 muaj që s’ka rënë shi po po ra do këputet në mes pa rrugë do mbetemi.”

Ky investim ka më shumë se një vit që ka nisur. Jo vetëm që afatet për asfaltimin janë tejkaluar me disa muaj por duket se kompania ka ende shumë punë për të bërë.

“Ka gati 2 vit që e kanë nisur. Italiani me mjete primitive në 1939-1941 e çoi deri në Bizë 55 km,” thotë banori.

Banorët kërkojnë nga autoritete që para se të marrin në dorëzim rrugën të kontrollojnë cilësinë e punimeve.

Kontraktorët kanë përfituar nga qeveria një fond prej 316 milionë lekë me tvsh për disa vepra publike në qarkun e Elbasanit pjesë e të cilave është dhe rruga Labinot-Guri i Zi. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!