Sulmuesi i PSG-së, Neymar, pësoi një dëmtim javën e kaluar kundër Caenit në Kupën e Francës dhe pritet të mungojë për afro një muaj. Megjithatë, ky dëmtim i brazilianit ka qenë i planifikuar nga vetë ai, sipas tifozëve.
Pas kësaj fshihet një arsye shumë e fortë. Bëhet fjalë për ditëlindjen e motrës së lojtarit, Rafaella, e cila do të mbushë 25-vjeçe më 11 mars. Në fakt nuk është hera e parë që diçka e tillë ndodh, pasi Neymar “rastësisht” është dëmtuar në të njëjtën periudhë për gjashtë vite rresht dhe më pas është shfaqur në festat që motra e tij ka organizuar në Brazil.
Dhe për këtë vit e njëjta gjë pritet të ndodhë. Neymar do t’i duhet fillimisht të kryejë një karantinë prej 14 ditësh për të shkuar në vendlindjen e tij dhe dëmtimi ia lejon një luks kohor të tillë. Më pas ai mund të jetë në gjendje t’i bashkohet familjes, ku do të festojnë të gjithë së bashku ditëlindjen e Rafaellës. /abcnews.al