Do të ketë edhe ditë të tilla. Lamin Jamal është vërtet tepër i rëndësishëm për Barcelonën, por ndonjëherë do të dëmtohet dhe kështu ka ndodhur pikërisht tani.
Adoleshenti 18-vjeçar, që cilësohet si talenti më i madh i futbollit botëror, ka pësuar lëndim dhe do të mungojë për disa ndeshje, e madje edhe për atë që cilësohet kryesorja.
Vizitat mjekësore kanë përcaktuar se Jamal do të duhet të pushojë për 2 deri në 3 javë, për shkak të problemeve me muskujt. Kjo do të thotë se ai mund të humbasë me siguri të plotë dy ndeshje në kampionatin spanjoll dhe një në Champions, e saktësisht ato ndaj Seviljes, Zhironës dhe Olimpiakosit, ndërsa nuk dihet nëse do të jetë gati për El Klasikon ndaj Realit.
Derbi i Spanjës do të luhet në “Santiago Bernabeu” të Madridit në 26 tetor, dhe vetë trajneri Hansi Flik pranoi se Laminë është në dyshim.
Mediat në Gadishullin Iberik hedhin dyshime se dëmtimi I adoleshentit nuk është aq i madh sa thuhet dhe se klubi katalanas dëshiron që ai të mos jetë pjesë e kombëtares së Spanjës këto ditë, por që të pushojë për të qenë në formën e duhur për ndeshjet me ekipin “blaugrana”.
Këtë do ta tregojë koha, ndërsa trajneri i Spanjës, De La Fuente, e grumbulloi për duelet ndaj Gjeorgjisë e Bullgarisë në eliminatoret e Kupës së Botës.
/abcnews.al/

