Familjet që tërmeti i së shtunës iu shkatërroi shtëpitë në Tiranë do të jenë në banesat e reja para vitit të ri. Kryebashkiaku Erion Veliaj e premtoi gjatë një vizite në një prej familjeve në Petrelë. Banesat e dëmtuara nga tërmeti në Tiranë kanë nisur të rindërtohen. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj ishte në njërën prej tyre në zonën e Petrelës.
“S’kemi pritur as tre ditë nga tërmeti, kemi filluar rindërtimin e shtëpive: filluan shtëpitë në Ndroq dhe në Kashar, tani po fillojmë shtëpitë në Petrelë. Mezi pres që edhe në shtëpinë e Xhevdetit të vijnë që sot inxhinierët. Është caktuar kompania që ka marrë përsipër ta rindërtojë, do vijë të bëjë matjet. Ata do të zhvendosin plaçkat e tyre te fëmijët dhe pastaj do fillojmë rindërtimin e shtëpisë”.
Shumica e familjeve premton kryebashkiaku Veliaj do të futen në banesat e re brenda Dhjetorit.
“Shqipëria nuk e ka parë ndonjëherë një solidaritet të tillë. Do fillojmë vetë rindërtimin e shtëpive, sidomos në zonat e fshatit, ku shtëpitë janë monofamiljare dhe një kulm i prishur shkatërron jetën e një familjeje. Ndërkohë, po vazhdojmë me procesin e adoptimit të shtëpive pothuajse në të gjitha fshatrat e Tiranës. Besoj se shumica e familjeve, përfshirë edhe familjet e Xhevdetit, vitin e ri do ta hamë në shtëpinë e re”.
Ngjarjet e fundit sipas kryetari të bashkisë ishin edhe një test që tregoi se Tirana di të jetë solidare në raste fatkeqësish natyrore./ABC News Albania 24/7