Mërgim Mavraj ka rezistuar deri në fund në ndeshjen që Greuther Furth ka fituar në shtëpi me Darmstad. Kapiteni i kombëtares u dëmtua në shpatull dhe tre herë mbrojtësi refuzoi të zëvendësohej.
Mediat në Gjermani raportojnë se Mavraj është dëmtuar në ligamentet e nyjeve të shpatullave, ndërkohë që lajmi i mirë është se Martin Meichelbeck, kreu i stafit mjekësor, pret që lojtari i kombëtares shqiptare të shmangë operacionin, pasi ka vetëm një tendosje.
Ekziston mundësia që me terapi intensive Mavraj të jetë gati për ndeshjen e së shtunës ndaj Sandhausen. Gjatë këtyre ditëve do të shikohet me kujdes gjendja e 33-vjeçarit, i cili nëse luan në fundjavë do të qetësonte edhe trajnerin Edoardo Reja para ndeshjeve me Andorrën dhe Francën.
Gjithsesi një foto e Mavrajt, e hedhur në rrjetet sociale, të bëjnë të dyshosh mbi shkallën e dëmtimit të tij dhe për praninë në kombëtare në dy sfidat e muajit nëntor. /abcnews.al