Demokratët e Beratit çojnë në prokurori furgonin me ushqime: Bashkë me socialisten brenda

schedule23:36 - 19 Prill, 2021

schedule 23:36 - 19 Prill, 2021

Dy orë këmbëngulje në shi. Drejtuesi politik i listës së PD-së në Berat, Tomor Alizoti së bashku me demokratët e tjerë nuk kanë hequr dorë deri në momentin që furgoni me ushqime që bllokuan mbrëmjen e sotme të dërgohej në prokurori së bashku me personat që ishin brenda, mes tyre një zyrtare socialiste e degës lokale të PS-së. Furgoni me pako ushqimore është sekuestruar.

Tomor Alizoti akuzoi se Joana Melëngu që ishte brenda në furgon, është “anëtare e ZAZ-së dhe kryetare e rajonit nr. 2 e PS-së në Berat”.

Gazetari i ABC, Artan Diko siguroi pamjet e momentit kur Joana Melëngu e cila është edhe punonjëse e bashkisë bashkë me shoferin e furgonit janë shoqëruar brenda në prokurori për t’u marrë në pyetje në lidhje me ndihmat e rezervave të shtetit që po transportonin gjatë natës, nëse kishin dokumente dhe cila ishte arsyeja e lëvizjes në atë orar.

Tomor Alizoi e cilësoi krim elektoral dhe kërkoi ndëshkimin përpara drejtësisë, por bashkia e Beratit reagoi duke thënë se ndihmat thjesht po transportoheshin nga një ambient i bashkisë në magazinë.

Presidenti Ilir Meta përgëzoi qytetarët e Beratit për rastin e denoncuar dhe i bëri thirrje SPAK-ut që të hetojë. Kandidatët për deputetë të PD-LSI në Berat nesër do të depozitojnë denoncimin në SPAK./ db/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!