“Demokracia e re” fiton në zgjedhjet vendore në Greqi

schedule12:35 - 3 Qershor, 2019

schedule 12:35 - 3 Qershor, 2019

Një tjetër goditje për kryeministrin grek Aleksis Tsipras. Demokracia e re në opozitë, ka fituar zgjedhjet vendore në balotazhin e së dielës. Kryebashkiaku i ri i Athinës është Kostas Bakojanis, djali i kryebashkiakes së parë femër të kryeqytetit grek, Dora Bakojanis.

Apeli i bërë nga kryeministri i Greqisë Aleksis Tsipras, lider i “Syrizës”, që grekët të zgjidhnin një kandidat progresist në balotazhin për zgjedhjet vendore, nuk u dëgjua. E majta greke ka pësuar një humbje të re. Partia greke e qendrës së djathtë, “Demokracia e re”, në fakt ka fituar bashkinë e Athinës si dhe në shumë qytete të tjera të vendi, duke konfirmuar fitoren e radhës pas zgjedhjeve evropiane parlamentare ndaj së majtës së kryeministrit Tsipras.

Dhe pse të dhënat nuk janë ende zyrtare, rezultatet e marra nga” Demokracia e re” janë në një avantazh të ndjeshëm të moderuarve në prag të zgjedhjeve të parakohshme  të përgjithshme që do të mbahen në 7 Korrik. Në Athinë u zhvillua dhe sfida më e fortë për marrjen e bashkisë së kryeqytetit, Kostas Bakojanis, 41 vjeç, ish-guvernator i rajonit qendror të vendit, fitoi me 65% ndaj kandidatit të “Syrizës”, Nassos Iliopoulos.

Kostas Bakojanis përfaqësues i brezit të tretë të një prej familjeve më të njohura në skenën politike të së djathtës në Greqi, dhe djali i Dora Bakojanis, gruas së parë të zgjedhur kryebashkiake e Athinës në vitin 2003, dhe nipi i ish-kryeministrit Konstantin Mitsotakis (1990-1993), është dhe nipi i liderit aktual i “Demokracisë së re”, Kiriakos Mitsotakis, rivalit kryesor të Aleksis Tsipras në zgjedhjet e ardhshme.

Mitsotakis u bëri apel të gjithë votuesve në Athinë që të merrnin pjesë në festën e demokracisë, duke votuar. Ndërsa Kostas Bakojanis u shpreh se Athina nuk po ndryshonte vetëm kryebashkiak, por po ndryshonte epokë.

Bakojanis i cili bëri apel për bashkim në mënyrë që të ndryshohej qyteti, zëvendëson kryebashkiakun në largim Jorgos Kaminis i qendrës së majtë i cili fitoi dy mandate radhazi duke filluar që nga momentet e e para të krizës në vitin 2010.

Dora Bakojanis, nëna e fituesit të garës në kryeqytet u shpreh se populli grek për herë të dytë ka dërguar një mesazh për ndryshim politik dhe besimin që kanë për Kiriakos Mitsotakis. Kandidatët e mbështetur nga “Demokracia e re” kanë fituar në 11 nga 13 rajonet në vend sipas rezultateve.

Që në zgjedhjet parlamentare evropiane të 26 Majit të kaluar, kryeministri i së majtës Tsipras, kishte dalë i humbur: partia e tij “Syriza” mori 6 vende me 23.85% të votave, ndërsa “Demokracia e re” mori 9 vende me 33.27% të votave. Për sa i përket Selanikut, qytetit  të dytë në vend, fitorja është e kandidatit të pavarur Konstantinos Zervas, i mbështetur nga fronti progresist./ABC News Albania 24/7