Nuk u mor shumë seriozisht, por qenka i fortë. Isak Del Toro ndoshta mund të jetë ylli i ri i çiklizmit botëror, ndërsa meksikani bëri një reagim prej kampioni.
Ai jo vetëm mbrojti Fanelën Rozë, pra kryesimin e Xhiros së Italisë, jo vetëm që bëri të harrohej kriza e një dite më parë, por edhe fitoi etapën e 17-të në Alpe.
Del Toro sfidoi të gjithë rivalët në itinerarin prej 155 kilometrash nga San Mikele al Adixhe deri në Bormio, me disa ngjitje malore.
Çiklisti 21-vjeçar nga Baha Kalifornia përballoi atë që quhet etapa më selektive e Xhiros duke lënë vetëm 4 sekonda prapa ekuadorianin Rikard Karapaz.
Ndoshta pikërisht sportisti nga Ekuadori do të jetë rivali i tij i vetëm në 4 ditët e mbetura. Del Toro ka tani 41 sekonda mbi Karapazin.
Britaniku Sajmën Jejts nuk është se u dorëzua, por humbi 15 sekonda përballë kryesuesit, kurse konkurrentët e tjera janë gati dy minuta prapa.
Beteja kryesore u bë në ngjitjen mitike të Mortirolos, edhe pse nga ana më pak e vështirë, por që gjithsesi pati 12 kilometra me pjerrësi mesatare 7.6 për qind dhe me një kulm prej 13 përqindësh.
Xhiro e Italisë po I afrohet fundit, ndonëse ka ende dy etapa të forta malore./abcnews.al