Eda Gemi nga Athina, duke folur për situatën e zjarreve në Greqi, tha se dëmet janë të konsiderueshme. Në një intervistë për emisionin “Ballkan Update” me gazetaren Linda Karadaku, Gemi u shpreh se vetëm gjatë muajve Korrik-Gusht, janë djegur pothuajse 1.5 milionë hektarë pyje dhe tokë bujqësore.
“Nga viti 2021, më shumë se 3 milionë tokë hektarë tokë janë djegur në Greqi. Një deklaratë që bëri të mërkurën ministri i mbrojtjes civile pranoi se është një rast emergjent. Të njëjtën deklaratë të përafërt bëri edhe komisioneri i BE-së për menaxhimin e krizave, i cili tha se është hera e parë që një zjarr i përmasave të tilla ndodh brenda kontekstit të unionit.
Kjo është një tragjedi, ekosistemet janë shkatërruar. Mbi 750 mijë hektarë janë djegur brenda rrethit të Athinës dhe kjo është vërtetë një katastrofë e përmasave të paprecedentë. Aktualisht ka shumë pakënaqësi, kritika dhe vetë zëdhënësi i qeverisë ka pranuar se ka probleme në menaxhim, fondet dhe infrastrukturën e parandalimit dhe se si janë strukturuar shërbimet përkatëse.
Por fakti që pas asaj që ndodhi në 2018 në Mati, pjesë e Atikës, ku më shumë se 100 veta u dogjën të gjallë në zjarr, pavarësisht premtimeve me të cilët erdhi në pushtet Mistotakis në 2019, prapë sistemi i menaxhimit të krizave nuk ishte i mjaftueshëm dhe sipas deklaratave të vetë autoriteteve, do të vijë koha të bëhen llogaritë përkatëse. madje flitet se do të ketë dorëheqje dhe një lloj riformatimi ndoshta edhe i vetë qeverisë ose niveleve pak më të ulëta. situata është problematike.”, theksoi ajo.
Ndërkohë, ajo u ndal edhe tek pengmarrja e disa emigrantëve pak ditë më parë në shtetin fqinj nga shqiptari Astrit Tota dhe dy të tjerë, me pretendimin se i kishin kapur ata në tentativë për të ndezur zjarr në pyjet e Evros. Sipas Gemit, për këtë ngjarje janë organizuar edhe protesta nga shoqatat e emigrantëve./abcnews.al