Dëmet e Trump ndaj fermerëve, demokratët vërshojnë në zonat rurale

schedule22:45 - 27 Gusht, 2019

schedule 22:45 - 27 Gusht, 2019

Kandidatët demokratë që synojnë të sfidojnë Donald Trump në zgjedhjet e ardhshme presidenciale e kanë fokusuar fushatën e tyre në zonat rurale. Xho Bajden por edhe kandidatët e tjerë kërkojnë të fitojnë mbështetjen e elektoratit rural, i dëmtuar nga lufta tregtare e Trump me Kinën.

Duke përfituar nga shqetësimi i fermerëve nga axhenda ekonomike e presidentit Trump, rivalët demokratë po rrisin përpjekjet për të rimarrrë kontrollin e Amerikës rurale, që në 2016-n ndikuan në fitoren e miliarderit.

Zona në fjalë i ka qëndruar besnike presidentit republikan, edhe pse fermerët nga Ajoua në Uiskonsin e deri në Pensilvani po vuajnë barrën e luftës së tij tregtare me Kinën.

Këshilltarët e Trump insistojnë se linja e ashpër e zgjedhur prej tij kundrejt Kinës vetëm sa do të kënaqë më shumë bazën elektorale, sesa do ta asgjësojë atë.

Por demokratët që po përpiqen të përballen me Trump në nëntor të 2020-s, synojnë marrjen e mbështetjes së fermerëve për shkak të rënies së ndjeshme të çmimeve dhe mbetjes stok të të korrave, teksa beteja tregtare me Kinën po zgjat prej më shumë se një viti.

Fermerët dhe prodhuesit e etanolit janë gjithashtu të dëshpëruar nga vendimi i fundit i administratës për të lejuar kompanitë e naftës të shmangin ligjet për biokarburantet dhe të përdorin më pak etanol me bazë drithërash.

Kështu, nga Xho Bajden deri tek senatoret Elizabeth Uorren dhe Emi Klobuçar, të gjithë kandidatët gjatë fushatës e kanë vënë theksin tek dëmi ekonomik i shkaktuar nga lufta tregtare e Trump dhe shmangia e biokarburanteve.

Në disa ndalesa të bëra në Ajoua që prej qershorit, Bajden ka deklaruar se lufta tregtare po shkatërron fermerët amerikanë.

“Sa fermerë në këtë shtet, ose në këtë vend duhet të përballen me frikën se mos humbin fermat e tyre për shkak të këtyre tarifave?”, tha Bajden gjatë një mitingu në Kontenë Uorren javën e kaluar.

Dhe këshilltarët e tij thonë se Bajden do ta kthejë fushatën në zonat rurale në prioritetin kryesor të tij. Por jo vetëm ai.

Në javët e fundit edhe shumë kandidatë të tjerë, përfshirë Elizabeth Uorren dhe Pit Butixhixh kanë shpalosur planet e tyre për Amerikën rurale, duke prekur çështje që variojnë nga subvencionet tek shëndeti rural dhe lidhja me internetin./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!